Arritja e imunitetit të tufës nuk është “një mundësi” me variantin aktual Delta, tha kreu i grupit të studimeve rreth vaksinave në Oksford.
Duke dhënë dëshmi për deputetët të martën, Prof. Andrew Pollard tha se fakti që vaksinat nuk ndaluan përhapjen e Covidit nënkuptonte se arritja e pragut për imunitetin e përgjithshëm në popullatë ishte thjesht një koncept ‘mitik’ shkruan The Guardian përcjell Gazeta Shneta.
“Problemi me këtë virus nuk është si fruthi. Nëse 95% e njerëzve janë vaksinuar kundër fruthit, virusi nuk mund të transmetohej më në popullatë”, tha ai për grupin parlamentar të të gjitha partive (APPG) për koronavirusin.
“Varianti Delta do të infektojë ende njerëzit që janë vaksinuar. Dhe kjo do të thotë që kushdo që është ende i pavaksinuar në një moment do të takojë virusin … dhe ne nuk kemi asgjë që (plotësisht) do ta ndalojë atë transmetim”.
Edhe pse vaksinat ekzistuese janë shumë efektive në parandalimin e sëmundjeve serioze dhe vdekjes, ato nuk e ndalojnë një person të vaksinuar plotësisht të infektohet nga virusi që shkakton Covid-19.
Koncepti i imunitetit të tufës ose popullsisë, mbështetet në një shumicë të madhe të një popullate që fiton imunitet – ose përmes vaksinimit ose infeksionit të mëparshëm i cili nga ana tjetër, siguron mbrojtje indirekte nga një sëmundje infektive për të pavaksinuarit dhe ata që nuk janë infektuar më parë.
Të dhënat nga një studim i kohëve të fundit React i kryer nga Imperial College London sugjeron që njerëzit plotësisht të vaksinuar të moshës 18 deri në 64 vjeç kanë rreth 49% më pak rrezik të infektohen në krahasim me njerëzit e pavaksinuar. Gjetjet gjithashtu treguan se njerëzit plotësisht të vaksinuar kishin rreth gjysmën e gjasave për të rezultuar pozitiv pasi kishin rënë në kontakt me dikë që kishte Covid (3.84%, nga 7.23%). /Gazeta Shneta/