Në tetor, Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë “Dr. Sami Haxhibeqiri” kishte hapur konkurs për tetë pozita të lira. Mirëpo personat që kanë aplikuar dhe nuk janë pranuar, thonë se në konkurs janë pranuar aplikantë që kanë lidhje familjare me persona të caktuar në këtë spital për çka edhe janë ankuar në Inspektoratin e Punës me kërkesën që të anulohet konkursi. Katër nga këta aplikantë, për Express, kanë dhënë detaje rreth dyshimeve të tyre, ndërsa drejtoresha e spitalit thotë se me ankesat e tyre është duke u marrë komisioni i ankesave.
F.H., V.B., M.M. dhe H.S. (emra të njohur për redaksinë) kanë aplikuar për pozita të ndryshme në spitalin e Mitrovicës, mirëpo nuk kanë arritur të përzgjidhen. Ata kanë dyshime se konkursi është i kurdisur dhe manipuluar.
Njëra nga aplikantet, F.H. ka thënë për Gazetën Express se ka aplikuar për dy pozita në këtë konkurs- zyrtar personeli dhe zyrtar i pasurisë. Ajo thotë se ka përfunduar nivelin Bachelor dhe Master në Fakultetin Ekonomik në UP, derisa shton se ka punuar në spitalin e Mitrovicës nga shtatori i vitit 2021 deri në qershor të 2022-tës si staf mbështetës për COVID-19.
“Kam përfunduar Bachelor dhe Master në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa tani jam në përfundim të Masterit të dytë për pedagogji. Nga shtatori i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022 kam punuar në Spitalin e Mitrovicës si staf mbështetës për COVID-19, përkatësisht pranë zyrës së personelit. Pas kontributit tim në këtë zyrë dhe asistimit kudo që kanë pasë nevojë, drejtoresha Luljeta Zhubi dhe shefi i personelit Driton Selimi bënë kërkesën në SHSKUK për të lejuar shpalljen e konkursit për disa pozita, në mesin e tyre edhe “zyrtar i personelit”, deklaroi ajo.
Ajo thotë se ky konkurs “ishte i kurdisur dhe u shpall për kthimin e favoreve”.
“Në nëntor të vitit 2022 u hap konkursi, mirëpo për fat të keq, ishte i kurdisur dhe u shpallë për kthimin e favoreve ku ende pa u shpallë është ditur lista e të pranuarve. Nëse marrim dhe e analizojmë listën e të pranuarve në këtë konkurs, shohim që të gjithë janë familjarë të kryesuesit dhe anëtarëve të komisionit nga konkursi i vitit të kaluar. Po ashtu, janë fëmijë të ish punëtorëve shëndetësore që janë pensionuar”, tha F.H.
F.H. ka treguar edhe “raste konkrete” për dyshimet e saj.
“Rast konkret e kemi kandidaten e pranuar për pozitën “zyrtare e personelit”- K.F., e cila është vajza e gjinekologes Drita Fazliu, që është pensionuar një vit më parë. Ndërsa për pozitën “Mirëmbajtës i objekteve” është pranuar bashkëshorti i kryeinfermieresmieres së infektivës Ardita Ademi. Për pozitën “Asistente e Drejtoreshës Ekzekutive” është pranuar vajza e një punëtore shëndetësore, Myradije Zasella. Për pozitën “Zyrtare e pasurisë” është pranuar vajza e infermieres Shqipe Mehmedi, njëherit gruaja e djalit të mjekut Avni Fejza”, tha ajo.
Nërkaq, aplikantja tjetër, V.D., tha se pas dorëzimit të ankesës, ka kërkuar qasje në dokumentet e saj, mirëpo nuk i është lejuar.
“Unë kam aplikuar sepse i kam plotësuar të gjitha kriteret për vendin e punës “zyrtar i personelit”. Një ndër CV-të më të mira në këtë konkurs ka qenë CV-ja ime, duke llogaritur edhe notën mesatare mbi 9.3 në Master. Jam ftuar për testin me shkrim dhe gjatë kohës që kemi qenë duke pritur, ka ardhur një vajzë që unë nuk e kam njohur. Të pranishmit më thanë që ajo është vajza e gjinekologes Drita Fazliu, e cila më pas doli e para në listë. Unë kam dorëzuar ankesë dhe kam kërkuar qasje në dokumentet e mia, por nuk më është lejuar”, deklaroi V.D. për Express.
Personi i tretë, që është zhgënjyer nga ky konkurs, M.M, thotë se ka aplikuar për dy pozita- Zyrtar Administrativ dhe Mirëmbajtës i Objekteve.
“Sa i përket përgatitjeve profesionale, i kam plotësuar të gjitha kriteret, pasi që kam qenë për nëntë muaj si staf mbështetës për COVID-19. Mirëpo si duket mundi ynë nuk u mor parasysh fare, pasi që këto pozita u ishin premtuar dikujt tjetër paraprakisht dhe konkursi në tërësi ishte manipuluar dhe i përgatitur për t’ia kthyer favoret personave që paraprakisht u kishin ndihmuar”, tha ai.
H.S. që ka aplikuar për pozitën “Zyrtare e pasurisë” thotë se nuk i është lejuar që ta dorëzojë ankesën.
“Testin mu nuk ma dhanë me këqyr hiç. Kur e kam dorëzuar ankesën janë tranu kur më kanë pa, më thonin ‘nuk ta pranojmë’. E thirra avokatin, më tha me thirr policinë. Kur e thirra policinë, dolën e më thonin me u kthy”, tha ajo.
Edhe H.S. dyshon që nga ky konkurs janë përzgjedhur persona të afërt me punëtorë të spitalit.
“I thashë ni mjekut dhe ni motrës ‘qysh po i bini fminë si me i çu në parashkollor’”, rrëfeu ajo.
Për gjithë këto dyshime, Express ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e Spitalit në Mitrovicë, Luljeta Zhubi, e cila tha se me ankesat e të “pakënaqurve” është duke u marrë komisioni i ankesave.
“Është komisioni i ankesave që i shqyrton ankesat. Mu nuk më ka ra në dorë diçka por është komisioni që merret me to. Komisioni i shqyrton ankesat në lidhje me çka janë ankesat, a ka shkelje. Konkursi për një profil është anuluar për shkak të shkeljeve ligjore të afatit për intervistat, ndërsa të profileve tjera jo, janë shpallur rezultatet. Njëherë nuk ka shkelje sipas neve, me gjet shkelje atëherë anulohet, ankesat shqyrtohen. Për më tutje, shohim”, tha ajo. /GazetaExpress/