Tre lloje të citostatikëve janë duke munguar në Klinikën e Onkologjisë në QKUK. Një prej tyre është harxhuar para afatit të paraparë, ndërsa për dy të tjerë MSH është vonuar t’i furnizojë. Pacientët po detyrohen të paguajnë në barnatore private mbi 100 euro për këto barna
Tre lloje të citostatikëve janë duke munguar në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, ku trajtohen pacientët e sëmurë nga kanceri. Ata po detyrohen të blejnë këto barna me para nga xhepi i tyre, pasi një prej tyre është shpenzuar para afatit të paraparë, ndërsa për dy të tjerë Ministria e Shëndetësisë është vonuar t’i furnizojë, shkruan Gazeta Shneta.
Zyra për Informim në QKUK ka treguar se Barnatorja Qendrore është furnizuar me citostatikët “Paclitaxel” 100 ml dhe 30 ml sipas planifikimit, por nevoja e madhe ka bërë që të shpenzohet para afateve të parapara.
“Zyra e informimit në QKUK ju shpjegon se furnizimi i rregullt me citostatikët Paclitaxel konc per sol per inf,100 ml dhe Paclitaxel konc per sol per inf,30 ml është realizuar konform planifikimit të nevojave reale për periudhën e TM1 (tremujori i parë) 2019, konkretisht Barnatorja Qendrore, përkitazi Kl.e Onkologjisë është furnizuar me 900 copë Paclitaxel 100 ml dhe 600 copë Paclitaxel 30 ml me datë 13.12.2018 sipas planit të veprimit real të dorëzuar nga kjo klinikë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
“Shpenzimi i tërë sasisë së paraparë për tre muaj për periudhën dymujore (13.12.2018-13.02.2019), sikurse është sqaruar zyrtarisht edhe nga Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, ka rezultuar si pasojë e trajtimit të numrit të shtuar të rasteve me sëmundje malinje me këtë lloj citostatiku si dhe si pasojë e zëvendësimit të citostatikut tjetër Docetaxel konc.dhe tretes per sol per inf 40mg/ml,2ml me Paclitaxel konc per sol per inf 100 dhe 300 ml”, thuhet tutje.
Ndërkaq QKUK ka konfirmuar se Barnatorja Qendrore ende nuk është furnizuar me citostatik “Docetaxel” dhe “Ibandronat”.
“Bari citostatikë i LEB, Docetaxel konc.dhe tretes per sol per inf 40mg/ml,2ml ende nuk ka kontratë valide për furnizim dhe si rrjedhojë ende nuk është furnizuar Barnatorja Qendrore dhe as Barnatorja klinike e Onkologisë. Pritet që edhe ky produkt të kontraktohet së shpejti. Sa i përket medikamentit Ibandronat konc.per sol per inf. 6mg, kjo e fundit ka kontratë valide për furnizim dhe presim furnizimin për tremujorin e parë 2019”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Mungesën e këtyre medikamenteve e ka pranuar edhe Ministria e Shëndetësisë. Por kjo e fundit nuk është në dijeni për shpenzimin e citostatikut “Paclitaxel”, për çka ka njoftuar QKUK. Ndërkaq sa i përket medikamentit “Ibandronat”, MSH thotë se operatori ekonomik është në pritje të Autorizim Marketingut para se ta bëj liferimin. Kjo ministri nuk ka sqaruar se si i është dhënë kontrata këtij operatori për këtë produkt, nëse e njëjta nuk ka pasur paraprakisht Autorizim Marketing për këtë medikament.
“Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka pranuar konfirmimin nga ana e Operatorit Ekonomik se produkti Ibandronat pritet të liferohet javën e ardhshme (OE është deklaruar se është në pritje të MA nga AKPPM)”, thuhet në përgjigjen e MSH-së. Zyrtarët e kësaj ministri kanë deklaruar se produkti “Docetaxel” është në proces të kontraktimit, që i bie se pacientët do ta blejnë me para nga xhepi i tyre edhe për një kohë. /Gazeta Shneta/