Prokuroria e Shtetit është duke i vazhduar hetimet lidhur me tri vdekjet e dyshimta që ndodhën në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës më 7 shtator të këtij viti. Viktimave u është bërë analiza e obduksionit nga ana e Mjekësisë Ligjore në Kosovë, por raporti lidhur me këtë çështje edhe më shumë se një muaj pas, ende nuk është dorëzuar në prokurori nga ana e IMK’së. Në pritje të raportit janë edhe Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK’ja. Për këtë rast sot është diskutuar edhe në Parlamentin e Kosovës.
Më 7 shtator në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tre pacientë në rrethana ende të dyshimta, derisa ishin futur në operacion, kishin ndërruar jetë. Për këtë punë organet e hetuesisë kanë nisur hetime në disa pista. Por, do të jenë analizat e obduksionit të cilat u janë bërë këtyre pacientëve ato të cilat do të japin më shumë detaje rreth kësaj çështjeje.
Në pritje të raportit të Mjekësisë Ligjore është Prokuroria e Shtetit, e cila në një prononcim për Express, ka thënë se IMK ende nuk e ka dorëzuar raportin mbi gjetjet e obduksionit që u janë bërë tre pacientëve të cilët në rrethana ende të dyshimta ndërruan jetë në sallat operative në QKUK. Prokurori i lëndës, Valdet Gashi, ka thënë për Express, se hetimet për këtë punë po vazhdojnë.
“Ne jemi duke i vazhduar hetimet lidhur me këtë çështje, jemi duke e prite raportin zyrtar nga ana e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Gashi të mërkurën për Express.
E në pritje të Prokurorisë së Shtetit janë edhe janë edhe zyrtarët e QKUK’së.Drejtori i SHSKUK’së, Basri Sejdiu, ka thënë për Express, se ende nuk kanë diçka konkrete për këtë rast.
“Sa jam i informuar punët janë në fazën e hetimeve dhe hulumtimeve, ekspertizave. Nuk kemi ende asgjë konkrete, gjithçka është në duart e Prokurorisë”, thotë ai.
E zyrtarë të Mjekësisë Ligjore nuk u janë përgjigjur thirrjeve të Expressit rreth kësaj çështjeje.
Ndërkaq, QKUK-ja e ndali furnizimin me gaz nga kompania “Bubeari Komerc”, duke nënshkruar kontratë me një tjetër operator ekonomik. Por, mungesa të gazit oksidul ende po vërehen në QKUK.
“Si përket gazit, prapë po ndihen mungesa të furnizimit, ka ngecur pak në hallkën e furnizimit. Çdo pengesë manifestohet edhe te pacientët, ngase është i domosdoshëm gazi”, ka thënë Basri Sejdiu në një intervistë dhënë Expressit.
Ndërkohë që edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka folur rreth kësaj problematike. Ismaili, ka thënë se nuk do të mbetet asgjë pa u sqaruar për vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur në QKUK nga një gaz që po konsiderohet i dyshimtë dhe po hetohet nga prokuroria.
“Një operator i ka thyer ligjet duke tentuar të prodhojë kundërligjshëm gaz në Kosovë. Unë kam dal dhe kam folur publikisht sepse kam dashur të mos mbetet asgjë pa u sqaruar. Unë flas për kohën kur unë kam qenë ministër, jo më herët. Jemi duke pritur nga prokuroria. Ka qenë një reagim i shpejt, por fatkeqësitë janë humbur jetë. Ajo që mund t’iu sigurojë është se nuk do të përsëritet diçka e tillë”, ka thënë Ismaili.
Ndërkohë që për këtë punë një peron tashmë gjendet në paraburgim. Pronari i kompanisë “Bubeari Komerc”, Naser Guri nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.