Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Komiteti për imunizimin e popullatës me vaksinën kundër Covid-19, ka vendosur që të fillohet me dhënien e dozës së tretë ose dozës përforcuese për moshat mbi 18-vjeç.
Administrimi i dozës së tretë do të fillojë nga nesër dhe MSH ka sqaruar se cilët persona mund të marrin, shkruan Gazeta Shneta.
“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Poashtu MSH ka thënë se “doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë”.
Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.
Qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS, – emaili dhe njoftimeve publike.
“Duke konsideruar që vaksinimi është mënyra më efektive për të kufizuar dhe ndërprerë përhapjen e virusit dhe për të arritur mbrojtjen e popullatës, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat dhe ekipet mobile të vaksinimit kudo në Kosovë për t’u vaksinuar sa më parë kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e MSH-së. /Gazeta Shneta/