Hulumtimet mbi ndikimin e konsumit të verës në rrezikun e kancerit vazhdojnë.
Një meta-analizë e fundit nuk gjeti ndonjë lidhje midis konsumit të verës dhe rrezikut të përgjithshëm për kancer, pavarësisht nga lloji i verës, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, kur u analizuan vetëm studimet e bazuara në kohorte, u vu re se vera e bardhë lidhej me një rritje të rrezikut për kancer.
Një meta-analizë e studimeve vëzhguese, e botuar në revistën “Nutrients”, krahasoi ndikimin e verës së kuqe dhe asaj të bardhë në rrezikun e kancerit.
Nga analiza e 42 studimeve, studiuesit nuk gjetën ndonjë lidhje mes konsumit të verës së kuqe apo të bardhë dhe rrezikut të përgjithshëm për kancer.
Megjithatë, kur u përfshinë vetëm studimet në kohorte, rezultoi se vera e bardhë ishte e lidhur me një rritje të rrezikut për kancer, veçanërisht tek gratë dhe për formën e kancerit të lëkurës.
Studimet në kohorte janë një lloj studimi kërkimor, ku një grup individësh ndahen në grupe (koorta) të ndryshme sipas karakteristikave të caktuara, si mosha, gjinia, shëndeti, apo ekspozimi ndaj disa faktorëve. Pjesëmarrësit ndiqen për një periudhë të caktuar kohe për të studiuar lidhjet mes faktorëve të ndryshëm dhe rezultateve shëndetësore. Ky lloj studimi është i dobishëm për të kuptuar shkaqet e mundshme të sëmundjeve dhe faktorët që i ndikojnë ato.
Dihet se konsumimi i alkoolit mund të rrisë rrezikun për disa lloje kanceri, ku sasia dhe shpeshtësia e konsumit luajnë një rol të rëndësishëm.
Megjithatë, disa studime sugjerojnë se vera e kuqe mund të ketë një efekt mbrojtës ndaj disa llojeve të kancerit. /Gazeta Shneta/


