Veseli pret specialistët e mjekësisë, godet Ministrinë: Po na frikëson të gjithëve

2017-05-02 në ora 13:11

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritur në takim dhjetëra specialistë të fushave të ndryshme të shëndetësisë të cilët të martën kanë protestuar para Kuvendit pasi që dy vite janë të papunë dhe institucionet përgjegjëse nuk u kanë gjetur zgjidhje, ka njoftuar Kuvendi.

Përfaqësuesi i specialistëve protestues, Arben Ademi, e ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për pritjen e specialistëve, ndërsa ka shprehur bindjen se vetëm ai mund t’u ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për punësimin e tyre.

“Kryetar, ju falënderojmë për angazhimin tuaj, tani dhe edhe atë të mëhershëm, veçanërisht në fazën e miratimit të buxhetit. Kemi konsideratë jashtëzakonisht të madhe për ju dhe u jemi drejtuar si një institucion tek i cili kemi shumë shpresë se mund të na ndihmoni”, tha Ademi.

Në kumtesë thuhet se, pasi dëgjoi kërkesat e specialistëve, kryeparlamentari Veseli tha se është e papranueshme që mbi 200 specialistë të bredhin rrugëve të papunë, ndërkohë që sistemi shëndetësor ka deficit të mjekëve dhe mjekët kosovarë po ashtu po ikin drejt vendeve evropiane për të gjetur punë.

“Më vjen shumë rëndë, sepse ka pothuajse një vit që po merremi me të njëjtat çështje dhe po sillemi në një rreth burokratik. Po ballafaqohemi me një sistem të ngecur shëndetësor, i cili po na frikëson të gjithëve, ndërsa po i bën fajtorë njerëzit të cilët më së paku janë të tillë, mjekët”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli i siguroi specialistët se çështja e punësimit të tyre do të zgjidhet, ndërsa u premtoi se ai personalisht do të angazhohet në këtë çështje.

Veseli i ftoi specialistët që ta bëjnë një grup prej tre personave të cilët menjëherë do t’i takojë me ministrin e Shëndetësisë dhe Inspektoratin e Punës, për të gjetur zgjidhjen adekuate në përputhje me ligjet.