Është e njohur se vitamina D luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e kockave dhe sistemin imunitar, por prova të reja po tregojnë se nivelet e vitaminës D janë të lidhura edhe me funksionin më të mirë të mushkërive, duke sugjeruar se ajo luan një rol kyç në ruajtjen e shëndetit të frymëmarrjes. Besohet se vitamina D ndikon në strukturën e mushkërive, forcën e muskujve të frymëmarrjes dhe reagimin imunitar ndaj patogjenëve të frymëmarrjes.
Dy studime sugjerojnë se te njerëzit që jetojnë me Sëmundjen Pulmonare Obstruktive Kronike (COPD) dhe bronkiektazinë, vitamina D mund të luajë një rol të rëndësishëm në reduktimin e përkeqësimeve dhe ashpërsisë së sëmundjes, shkruan Lung Foundation, transmeton Gazeta Shneta.
Një rishikim sistematik, i publikuar në revistën Thorax, ofron provat më të forta deri më tani për përfitimin e dhënies së suplementeve të vitaminës D pacientëve me COPD.
Studimi tregoi se suplementimi i vitaminës D reduktoi në mënyrë të sigurt dhe të ndjeshme normën e përkeqësimeve të moderuara dhe të rënda te pacientët me nivele bazë të vitaminës D më pak se 25 nmol/L, por jo te ata me nivele më të larta.
Një tjetër studim, i publikuar në Respiratory Medicine nga Ferri, që shqyrton lidhjen mes vitaminës D dhe ashpërsisë së sëmundjes tek bronkiektazia, tregoi se pacientët me bronkiektazi shpesh janë të mangët në vitaminë D, çka lidhej me përkeqësimin e funksionit të mushkërive.
Rezultatet treguan se 64% e pjesëmarrësve kishin mungesë të vitaminës D, 36% kishin nivele të mjaftueshme dhe vetëm 7% kishin nivele normale. Autorët identifikuan vitaminën D si një parashikues të mirë të ashpërsisë klinike dhe radiologjike të bronkiektazisë.
Një studim i mëparshëm nga Chalmers, gjithashtu, tregoi se pjesëmarrësit me mungesë të vitaminës D përjetonin përkeqësime më të shpeshta, simptoma më të këqija dhe cilësi më të ulët të jetës së lidhur me shëndetin./Gazeta Shneta/


