Një studim i ri heton një pjesë më pak të njohur të biologjisë qelizore që mund të ndikojë në plakjen e zemrës: matricën jashtëqelizore (ECM). Kjo strukturë komplekse molekulare, që ndodhet mes qelizave, shërben si një “skelet” mbështetës dhe ndihmon në komunikimin ndërqelizor dhe në shërimin e plagëve.
Sipas studiuesve, ndryshimet që ndodhin në ECM me kalimin e moshës mund të luajnë rol kyç në rënien e funksionit të zemrës, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Studimi, i publikuar në revistën “Nature Materials”, sugjeron se me kalimin e viteve, përbërja dhe organizimi i ECM-së ndryshojnë, duke e bërë muskulin e zemrës më të ngurtë. Kjo ndodh për shkak të aktivizimit të fibroblasteve kardiake, të cilat shkaktojnë fibrozë – një akumulim indi lidhës që në mënyrë të pakontrolluar mund ta bëjë zemrën më pak elastike dhe më pak efikase në pompimin e gjakut.
Studiuesit kanë përdorur një material inovativ për të kuptuar më mirë këto procese dhe shpresojnë që kjo qasje e re të çojë në metoda të reja për të ngadalësuar apo kthyer pas plakjen e zemrës.
“Shumica e kërkimeve për plakjen fokusohen tek vetë qelizat,” shpjegon Jennifer Young, autore e studimit. “Ne kemi zgjedhur të studiojmë ambientin përreth qelizave – ECM-në – dhe ndikimin e saj në plakjen e zemrës.”
Ky zbulim hap rrugë të reja për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe rrit shpresat për një zemër më të shëndetshme edhe në pleqëri. /Gazeta Shneta/


