Ekzistojnë disa faktorë rreziku për demencën, përfshirë diabetin e tipit 2. Një studim i ri raporton se semaglutidi — përbërësi aktiv në medikamentet GLP-1 për diabetin e tipit 2 dhe humbje peshe si Ozempic dhe Wegovy — mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për demencë te personat me diabet të tipit 2.
Studiuesit thonë se semaglutidi ndikon në disa faktorë rreziku për demencë dhe ka gjithashtu veti anti-inflamatore, gjë që mund të shpjegojë këtë përfitim, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Sipas organizatës “Alzheimer’s Disease International”, deri në vitin 2020 mbi 55 milionë persona në botë jetonin me demencë, dhe ky numër pritet të rritet në 78 milionë deri në vitin 2030.
Aktualisht nuk ka një kurë për demencën, një term i përgjithshëm për një grup çrregullimesh të trurit, përfshirë sëmundjen e Alzheimerit, demencën me trupa Lewy dhe demencën vaskulare.
Ekspertët kanë identifikuar disa faktorë rreziku për demencën. Disa prej tyre nuk mund të ndryshohen, si mosha dhe gjenetika, por ka edhe faktorë të stilit të jetesës që mund të modifikohen.
“Aktualisht, nuk ka një kurë për demencën,” tha për Medical News Today, profesorja Rong Xu, PhD, e cila drejton Qendrën për Inteligjencë Artificiale në Zbulimin e Barnave në Universitetin Case Western Reserve në Ohajo.
“Nga ana tjetër, rreth 50% e rasteve të demencës mund të parandalohen duke synuar 14 faktorët e njohur të rrezikut që mund të ndryshohen. Megjithatë, secili nga këta faktorë kontribuon vetëm 1%-7% në rrezikun e përgjithshëm për demencë. Prandaj, na nevojiten strategji parandaluese që mund të ndikojnë njëkohësisht në disa faktorë të rrezikut,” shpjegoi ajo.
Xu është autorja kryesore e një studimi të ri që gjeti se semaglutidi — mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për demencë tek personat me diabet të tipit 2.
Gjetjet janë publikuar në revistën “Journal of Alzheimer’s Disease”. /Gazeta Shneta/


