Shumë mite popullore pretendojnë se mund të zbulojnë gjininë e foshnjës përmes shenjave si forma e barkut, dëshirat për ushqime të ëmbla apo të kripura, apo ndryshimet në pamjen e nënës. Megjithatë, asnjë prej këtyre besimeve nuk është vërtetuar shkencërisht dhe konsiderohen vetëm tradita popullore.
Një nga mitet më të përhapura thotë se vajzat kanë rrahje më të shpejta të zemrës se djemtë gjatë shtatzënisë. Po ashtu, ekziston edhe e ashtuquajtura teori e kafkës, sipas së cilës forma e nofullës apo e kokës në ultratinguj mund të tregojë gjininë e foshnjës.
Sipas informacioneve të publikuara nga BabyCenter, asnjë studim shkencor nuk i mbështet këto pretendime.
Në fakt, ekzistojnë vetëm disa metoda të besueshme mjekësore për të zbuluar gjininë gjatë shtatzënisë. Më e zakonshmja është skanimi me ultratinguj rreth javës së 20-të, zakonisht midis javës 18 dhe 21.
Megjithatë, ndonjëherë pozicioni i foshnjës mund ta bëjë të pamundur përcaktimin e saj.
Një metodë tjetër është testi prenatal joinvaziv (NIPT), një analizë gjaku që mund të zbulojë gjininë që nga java e 10-të e shtatzënisë. Ky test përdoret kryesisht për të kontrolluar rrezikun e anomalive gjenetike dhe jo vetëm për përcaktimin e gjinisë.
Procedura të tjera janë amniocenteza dhe marrja e vileve korionike (CVS). Të dyja përdoren kryesisht për diagnostikim gjenetik dhe rekomandohen vetëm në raste me rrezik të shtuar, jo thjesht për të zbuluar gjininë.
Në përfundim, vetëm testet mjekësore japin përgjigje të sakta, ndërsa mitet mbeten thjesht besime pa bazë shkencore. /Gazeta Shneta/


