Zelanda e Re ka miratuar një plan unik për të hequr dorë nga pirja e duhanit për brezin e ardhshëm, duke vendosur një ndalim të përjetshëm për të rinjtë që blejnë cigare.
Sipas ligjit të ri, duhani nuk mund t’i shitet askujt që ka lindur më ose pas 1 janarit 2009 – dhe tani e tutje, mosha minimale për blerjen e cigareve do të vazhdojë të rritet, shkruan Euronews dhe AFP përcjell Gazeta Shneta.
Teorikisht, dikush që përpiqet të blejë një paketë cigare pas 50 vjetësh do t’i duhet ID për të treguar se ishte të paktën 63 vjeç.
Por autoritetet shëndetësore shpresojnë se pirja e duhanit do të zhduket shumë më parë. Ata kanë një qëllim të deklaruar për ta bërë Zelandën e Re ‘pa duhan’ deri në vitin 2025.
“Nuk ka asnjë arsye të mirë për të lejuar që të shitet një produkt që vret gjysmën e njerëzve që e përdorin atë,” u tha ligjvënësve në Parlament, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Ayesha Verrall.
“Dhe mund t’ju them se ne do t’i japim fund kësaj në të ardhmen, pasi ta kalojmë këtë legjislacion”.
Zelanda e Re nuk është i vetmi komb që kërkon të ndalojë duhanin për brezat e ardhshëm.
Në qershor, një raport i përgaditur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar rekomandoi rritjen e moshës së ligjshme të pirjes së duhanit – çdo vit për të hequr dorë nga përdorimi i duhanit tek të rinjtë.
Danimarka gjithashtu zbuloi plane të ngjashme në fillim të këtij viti, por qeveria tha se një veprim i tillë do të kërkonte ndryshime në Direktivën e BE-së për Produktet e Duhanit.
Një iniciativë qytetare më vonë, ka zhvilluar një peticion drejtuar Komisionit Evropian për të ndaluar shitjen e duhanit dhe produkteve të nikotinës për qytetarët e BE-së të lindur pas vitit 2010.
Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, 18.4 për qind e njerëzve të moshës 15 vjeç e sipër në BE pinë duhan çdo ditë.
Por shifra varion nga 6.4 për qind në Suedi në 23.6 për qind në Greqi dhe 28.7 për qind në Bullgari. /Gazeta Shneta/