Kandidatja për deputete nga radhët e koalicionit PSDK/AAK, Dr. Besa Baftiu, në emisionin Debat në RTK ka ngritur çështjen e specializimeve dhe mungesës së specialistëve në spitalet rajonale.
Ajo ka thënë se deri më tani ndarja e specializimeve është bërë në bazë të kërkesave të klinikave dhe sot jemi në një situatë ku disa prej tyre janë të mbingarkuara me specialistë ndërsa ka spitale që janë para mbylljes për shkak të mungesës së tyre.
“Kjo ka ndodh për arsye se gjatë fushatave po ndahen specializime, po plotësohen vende të punës me aktivistë të partive që kanë qeveris deri më tani”, ka thënë Baftiu.
Ajo ka deklaruar se duhet të bëhet menaxhim dhe planifikim për çështjen e specializimeve në kuadër të sistemit shëndetësor në nivel të Kosovës.
“Ne do të intervenojmë që në këto komuna ku nuk ka mjekë specialistë me një memorandum bashkëpunimi, sikurse rasti i mjekëve në Gjilan që mund të shkojnë të punojnë në Kamenicë. Ndarja e specializimeve duhet të bëhet në bazë të meritave dhe të bëhet transparente e jo si deri më tani”, ka deklaruar Baftiu. /Gazeta Shneta/