Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se edhe katër raste kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, duke çuar në nëntë numrin total, raporton Gazeta Shneta.
Vitia ka njoftuar se nga katër rastet e reja, tre janë nga Malisheva-kontakte të rastit të parë, dhe një rast i ri nga Komuna e Podujevës.
“Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus). Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19”, ka shkruar Vitia.
Ai ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të shpallet gjendja e emergjencës për shëndetin publik.
“Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik. Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente”, ka shkruar Vitia. /Gazeta Shneta/