Zyrtari kosovar Ramadan Sejdiu i cili ishte arrestuar nga policia në Japoni për ngacmim seksual, është emëruar këshilltar në Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Në vitin 2015 Sejdiu në cilësinë e Drejtorit të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, kishte udhëtuar në Japoni për një trajnim lidhur me trajtimin e ujërave të zeza, shkruan Gazeta Shneta.
Gjatë qëndrimit në Japoni, policia e kishte arrestuar Sejdiun dhe e kishte mbajtur në paraburgim nën dyshimet për ngacmim seksual. Pas këtyre akuzave ai ishte shkarkuar nga posti në MZHE me të kthyer në Kosovë.
Pas kthimit në Prishtinë, Sejdiu kishte folur vet publikisht për këtë rast duke mohuar rastin. “Pas një hetimi nga investiguesit shumë profesional dhe me mjete të sofistikuara, më në fund, me 19 Shtator u konstatua se denoncimi ishte i pabazë dhe i inskenuar për qellime të caktuara dhe nuk kishte fakte mbi ngacmimin seksual, andaj Prokurori Publik e ndërpreu arrestimin pa pasur nevojë të shkohet në gjykatë”, pati deklaruar ai.
Por Sejdiu tanimë po shpërblehet me punë në Borde të ndryshme. Para më shumë se një viti ai ka qenë i emëruar si anëtar i Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.
Ndërkaq para rreth 2 muajsh ai është emëruar si këshilltar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Gazeta ka kërkuar sqarime nga kryesuesi i Bordit Dr. Naser Ramadani dhe nga drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu në lidhje me emërimin e Sejdiut, por asnjëri prej tyre nuk janë përgjigjur. /Gazeta Shneta/