Autore: Majlinda Bytyqi
Vetëm katër muaj më parë, Saranda Jakupi nga Mitrovica nuk kishte asnjë ide se simptomat që po përjetonte si tharje të gojës, lodhje të vazhdueshme dhe shqetësime të tjera fizike ishin shenja të diabetit. Ishte gjatë një aktiviteti shëndetësor të organizuar nga CECD Friends, ku iu mat niveli i sheqerit në gjak, dhe u diagnostikua për herë të parë me këtë sëmundje.
“Me diabet jam diagnostiku qe katër muaj, e me hipertension jam thuajse që katër vjet e gjysmë. Një kohë të gjatë mu thahej goja, më kapte kolli. Diabetin e kam zbulu këtu, kur më matën glukozën dhe më doli 7. Shkova menjëherë te mjeku, mora tableta dhe tani jam në ndjekje të rregullt, ndoshta edhe kaloj në insulinë,” rrëfen ajo.
Për organizatën dëgjoi rastësisht gjatë një vizite në spital, kur takoi një nga organizatoret që po përballej me të njëjtën sëmundje, shkruan Gazeta Shneta.
“Organizatorja më njoftoi rastësisht në spital, kishim të dyja të njëjtën sëmundje. Më shtyu me u bë pjesë. Trajnerja na ka mbajtë trajnime, na ka mat glukozën, na ka dhënë këshilla si me u ushqy. Më ka ndihmu me i largu mendimet negative dhe me i marrë hapat me rregull.

Që kur kam ardhë në organizatë jam shumë më e qetë me vete”, rrëfen tutje ajo.
Për Sarandën, fillimi ishte i vështirë pasi që ishte e mbingarkuar me sëmundje të tjera dhe e kishte të vështirë të pranojë diagnozën.
“Më ka ndihmu me u socializu, 99% e kohës jemi në biseda me njëra-tjetrën. Edhe për analizat merr njëfarë force, duke dëgjuar të tjerët se si përballen me sëmundjen”, u shpreh tutje Saranda.
Një tjetër zë që dëshmon ndikimin e organizatës CECD Friends është Melihate Beshiri, një grua që gjithashtu përballet me hipertension.
“Para tre vjetëve kisha dhimbje të shpinës. Shkova te mjeku, ma bëri eho-n e zemrës dhe më tha që tensionin e kam pasur edhe më herët, por nuk e kam ditur. Fillova menjëherë me terapi. Ditët e para u kujdesa, pastaj harroja me i marrë. Më kapi prapë dhimbja”, rrëfen Beshiri.
Melihatja e kishte të vështirë të menaxhonte sëmundjen vetë. Por, me pjesëmarrje në organizatën CECD Friends, çdo gjë ndryshoi.
“Kjo organizatë ka lloj-lloj aktivitetesh. Më është bërë më e lehtë me diskutime, me shoqe, me konsultime që kam marrë këtu. Socializohesh me gra të tjera dhe e harron sëmundjen”, tha tutje ajo.

Burimi: Gazeta Shneta
Ajo ka dhe një sygjerim për të gjitha gratë që përballen me sëmundje kronike.
“Do t’ua kisha preferu të gjitha grave që përballen me këto sëmundje me marrë pjesë këtu. I harron të gjitha,” shprehet Beshiri.
Në krye të kësaj organizatei është Valbone Sadiku, drejtoreshë ekzekutive e CECD Friends. Organizata u themelua më 8 janar 2015, por angazhimi i saj ka rrënjë shumë më të hershme.
“Stafi themelues kemi qenë të angazhuar në organizata të tjera që nga viti 2000. Në vitin 2014 lindi ideja për krijimin e CECD Friends dhe prej atëherë kemi punuar në edukim, zhvillim ekonomik, avokim e lobim. Më pas, me rritjen e kapaciteteve dhe kërkesat nga komuniteti, kemi hyrë fuqishëm edhe në sektorin e shëndetësisë,” shprehet Sadiku.

Sot, CECD Friends është një nga zërat më të fuqishëm në Mitrovicë për të drejtat shëndetësore të grave, në veçanti atyre që jetojnë në zonat rurale ose janë të margjinalizuara.
“Kemi mbajtur aktivitete për diabetin, kemi shënuar Ditën Botërore të Diabetit, kemi pranuar 19 ankesa për shkelje të të drejtave të pacientëve dhe vazhdojmë me avokim aktiv. Bashkëpunojmë me QKMF-në, me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga Departamenti i Edukimit i QKMF-së”, tha tutje Sadiku.
Sipas Sadikut, interesimi i grave për aktivitetet ka qenë jashtëzakonisht i madh, Gjatë aktiviteteve të CECD Friends, disa gra kanë zbuluar për herë të parë se kanë diabet, falë testimeve të bëra aty në ambient privat dhe të sigurt.
“Fluksi i grave në aktivitetet tona është shumë i madh 70 deri në 90 pjesëmarrëse. Nuk kemi pasur as ulëse për të gjitha, por interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Gratë nga fshatrat nuk ndihen të sigurta me bërë analiza në sheshe publike, por kur vijnë në qendër, ku ka më shumë privatësi, e kanë më të lehtë. Kemi pasur raste kur gratë kanë zbuluar që kanë diabet vetëm falë pjesëmarrjes në aktivitet. Njëra është diagnostifikuar me diabet në këtu tek ne në organizatë dhe pastaj ka vazhdu me trajtim të më tutjeshëm” theksoi Sadiku

Për edukimin mjekësor të pjesëmarrëseve kujdeset Msc. Drita Avdiu, infermiere e QKMF-së, e kontraktuar për të udhëhequr trajnimet në CECD Friends.
“Mbajmë ligjërata këtu, por edhe në shkolla dhe zona rurale. Shpesh zbulojmë pacientë me diabet ose hipertension që nuk e kanë ditur që vuajnë nga këto sëmundje. Pasi i zbulojmë, i referojmë në ambulancë, i japim këshilla, i furnizojmë me fletudhëza dhe libreza ku regjistrojmë vlerat. U tregojmë si të matin glukozën para dhe pas ushqimit, si ta ndjekin trajtimin, dhe kemi bashkëpunim të ngushtë me mjekët,” shprehet infermierja Avdiu.
Përtej aspektit mjekësor, Drita thekson rëndësinë psikologjike të mbështetjes që marrin pacientët.
“Shumë paciente e marrin diabetin ose hipertensionin me ndjenja trishtimi. Ne fillimisht i qetësojmë, pastaj kalojmë në fazën e bashkëpunimit. I ndihmojmë me fillu terapinë me rregull, i përshtatim vizitat, dhe nëse është e nevojshme, i udhëzojmë për insulinë.
Këtu, gratë mësojnë si të ushqehen shëndetshëm, si të bëjnë aktivitet fizik, si të përballojnë sëmundjen në mënyrë të organizuar, por mbi të gjitha, nuk ndihen të vetmuara.” tha tutje ajo.

Burimi: Gazeta Shneta
Në çdo takim, gratë sjellin nga një ushqim të shëndetshëm, të cilin e prezantojnë në një tryezë kolektive. Përmes diskutimeve dhe shembujve konkretë, trajnimi për ushqyerjen bëhet praktik
“Gjatë trajnimeve, secila grua sjell ushqim të shëndetshëm dhe e prezanton. Kështu e bëjmë edukimin për ushqimin më të kapshëm. E kalojmë përmes komunikimit, shembujve konkretë, dhe me ndihmën e trajneres, arrijmë që çdo grua të largohet më e vetëdijshme dhe më e fortë,” shprehet Avdiu.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti është një sëmundje kronike që ndodh kur trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose nuk e përdor atë në mënyrë efektive. Kjo çon në rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe, nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë komplikime serioze si sëmundje të zemrës, dëmtim të veshkave, humbje të shikimit dhe amputime.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF) tregojnë se në vitin 2024 rreth 589 milionë të rritur në moshën 20 deri 79 vjeç jetojnë me diabet.
Sipas OBSH-së, hipertensioni është një gjendje kronike që ndodh kur presioni i gjakut në arterie është përhershmërisht mbi normat e shëndetshme (140/90 mmHg). Të dhënat më të fundit të OBSH-së tregojnë se mbi 1.28 miliardë të rritur në moshën 30 deri 79 vjeç në mbarë botën janë të prekur nga hipertensioni, dhe mbi 46 për qind e tyre nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre./Gazeta Shneta/
“Ky artikull është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së”.




