Në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, Dr. Zeqirja Destani nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës thekson rëndësinë e radiologjisë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, shpesh para se pacientët të ndiejnë simptomat e para. Mamografia, CT-ja, RTG-ja dhe ultrazëri po ndihmojnë që trajtimi të fillojë herët, duke rritur shanset për shërim dhe duke ulur komplikimet.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Çfarë roli ka radiologjia në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, shpesh para shfaqjes së simptomave?
Dr. Destani: Radiologjia ka një rol kyç në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, sepse shpesh identifikon ndryshime para se pacienti të ketë simptoma. Veçanërisht në sëmundjet onkologjike, pulmonare apo vaskulare, imazheria shpesh është pika e parë ku sëmundja zbulohet. Në një spital rajonal si ai i Mitrovicës, radiologjia shpesh përfaqëson kontaktin e parë real diagnostik të pacientit me sistemin shëndetësor.
Cilat janë ekzaminimet radiologjike që ndihmojnë më shumë në diagnostikimin e hershëm?
Dr. Destani: Ekzaminimet më të përdorura janë:
– Mamografia për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit
– CT, veçanërisht për sëmundjet pulmonare, abdominale dhe traumatike
– RTG mbetet bazë për sëmundjet pulmonare dhe skeletore
– Ultrazëri për patologjitë abdominale
Edhe pse teknologjia jonë është e kufizuar, kur përdoret si duhet dhe interpretohet profesionalisht, ajo jep rezultate shumë të vlefshme.
Sa ndikon diagnostikimi i hershëm përmes radiologjisë në suksesin e trajtimit të pacientëve?
Dr. Destani: Diagnostikimi i hershëm:
– rrit ndjeshëm shanset e shërimit,
– zvogëlon nevojën për trajtime agresive,
– ul kostot shëndetësore,
– dhe përmirëson cilësinë e jetës së pacientit.
Në praktikë, dallimi mes një diagnoze të hershme dhe të vonshme shpesh është dallimi mes trajtimit dhe komplikimeve serioze.
Cilat sëmundje zbulohen më shpesh në faza të hershme falë ekzaminimeve radiologjike?
Dr.Destani: Kanceri i gjirit (me mamografi),
– Sëmundjet pulmonare kronike dhe tumoret pulmonare,
– Patologjitë abdominale, si tumoret e mëlçisë apo veshkave,
– Sëmundjet degjenerative të shtyllës kurrizore,
– Ndryshimet vaskulare dhe komplikimet e hershme të diabetit.
Këto sëmundje, kur zbulohen herët, kanë prognozë shumë më të mirë.
Kur duhet një person pa simptoma të bëjë kontrolle radiologjike parandaluese?
Dr. Destani: Kontrollet parandaluese rekomandohen:
– Për gratë mbi 40 vjeç: mamografi periodike,
– Për personat me faktorë rreziku (duhanpirës, diabetikë, hipertension),
– Për personat me histori familjare të sëmundjeve malinje,
– Sipas rekomandimit të mjekut familjar ose specialistit.
Kontrolli nuk duhet të bëhet pa arsye, por me indikacion të qartë mjekësor.
Sa i sigurt është përdorimi i RTG-së, CT-së dhe MRI-së në kontrolle të rregullta?
Dr. Destani: Kur përdoren sipas protokolleve mjekësore, këto ekzaminime janë të sigurta.
RTG dhe CT përdorin rrezatim, por në doza të kontrolluara dhe të justifikuara.
Teksa, MRI nuk përdor rrezatim dhe është shumë e sigurt; ne kemi shumë interes ta kemi në spitalin tonë.
Cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjnë pacientët dhe që ndikojnë në saktësinë e rezultateve?
Dr. Destani: Gabimet më të shpeshta janë:
– Paraqitja shumë e vonshme te mjeku,
– Mosrespektimi i përgatitjes për ekzaminim,
– Fshehja e informacioneve klinike,
– Kërkesa për ekzaminime pa indikacion mjekësor (raportet ambulatore klinicistët i shkruajnë pa nevojë).
Radiologjia funksionon më mirë kur ka bashkëpunim mes pacientit, mjekut klinicist dhe radiologut.
Si po ndihmon teknologjia e avancuar dhe inteligjenca artificiale në zbulimin e hershëm të sëmundjeve?
Dr. Destani: Teknologjia e avancuar dhe inteligjenca artificiale ndihmojnë në:
– Detektimin e lezioneve shumë të vogla,
– Përmirësimin e cilësisë së imazhit,
– Analizën më të shpejtë dhe më të saktë të të dhënave.
Edhe pse aktualisht nuk i kemi të gjitha këto teknologji në dispozicion, përgatitja profesionale dhe planifikimi për spitalin e ri rajonal janë thelbësore për t’i integruar ato në të ardhmen.
Mesazhi për qytetarët
Mos prisni simptomat për t’u kontrolluar. Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë, zvogëlon vuajtjen dhe rrit shanset për shërim të plotë. Një sistem shëndetësor funksional fillon me qytetarë të informuar dhe institucione që ofrojnë shërbime profesionale. Radiologjia është një nga shtyllat kryesore të këtij sistemi dhe një garanci për kujdes më të mirë shëndetësor në Mitrovicë.– Dr. Zeqirja Destani, radiolog nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës


