Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se situata me hantavirus në vend dhe në nivel ndërkombëtar po monitorohet vazhdimisht nga autoritetet shëndetësore.
Sipas IKSHPK-së, bazuar në të dhënat aktuale epidemiologjike, rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet shumë i ulët, ndërsa nuk ka indikacione për përhapje të gjerë të sëmundjes.
Sipas IKSHPK. theksohet se ethet hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV), të shkaktuara nga hantaviruset, në Kosovë paraqiten me raste sporadike dhe të qëndrueshme ndër vite.
Gjatë periudhës 2021–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste, duke konfirmuar një situatë të kontrolluar epidemiologjike.
Hantaviruset transmetohen kryesisht nga brejtësit përmes urinës, fekaleve dhe pështymës së tyre, ndërsa infektimi te njerëzit ndodh përmes thithjes së grimcave të kontaminuara në ambiente të mbyllura.
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat bazike parandaluese, përfshirë shmangien e kontaktit me brejtësit, pastrimin e kujdesshëm të hapësirave të dyshuara dhe ventilimin e ambienteve para pastrimit.
Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar kundër hantavirusit në Evropë, ndërsa trajtimi është vetëm mbështetës dhe simptomatik. Autoritetet shëndetësore theksojnë se situata po ndiqet në vazhdimësi dhe nuk ka arsye për panik.



