Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2025, ku ka nxjerrë në pah një sërë parregullsish dhe dobësish në menaxhimin e kontratave publike, pranimin e furnizimeve, administrimin e pasurisë shtetërore dhe stokut farmaceutik.
Sipas raportit, janë evidentuar gjashtë rekomandime të reja dhe disa gjetje që ndikojnë drejtpërdrejt në pajtueshmërinë e Ministrisë me legjislacionin në fuqi, shkruan Gazeta Shneta.
Mosrrespektimi i afatit të përfundimit të punimeve sipas kontratës publike
Një nga gjetjet kryesore lidhet me projektin “Renovimi i objektit të depos së barnave dhe ndërtimi i aneksit”, me vlerë 1.77 milion euro.
Sipas raportit, ndonëse kontrata parashihte përfundimin brenda 180 ditëve, punimet nuk janë finalizuar deri në fund të vitit 2025. Projekti ishte fituar nga operatori ekonomik që kishte ofruar çmimin më të lartë, por që ishte shpallur fitues për shkak të planit dinamik të punimeve dhe garancionit 10-vjeçar.
Raporti thekson se operatori ekonomik ka kërkuar ndryshime të kushteve kontraktuale dhe zgjatje të afatit, duke pretenduar mos përmbushje të obligimeve nga autoriteti kontraktues. Ndërkohë, Ministria ka realizuar pagesa mbi vlerën e kontratës, përfshirë edhe punë shtesë, ndërsa projekti vazhdon të mbetet i papërfunduar.

Pranimi i autoambulancave jashtë kushteve kontraktuale
Ndër gjetjet e tjera është edhe furnizimi me autoambulanca. Sipas auditorit, Ministria e Shëndetësisë kishte pranuar 20 autoambulanca në vlerë prej rreth 1.495.800 euro, ndonëse ato nuk i përmbushnin plotësisht specifikimet teknike të përcaktuara në kontratë. Në raport përmenden mungesa të certifikatave të kërkuara dhe mospërputhje në disa elemente teknike të automjeteve.

Mungesa e raporteve të pranimit për mallrat e furnizuara
ZKA ka konstatuar po ashtu mangësi në procesin e pranimit të mallrave. Në katër raste, me vlerë totale prej 778,946 eurosh, mungonin raportet zyrtare të pranimit të mallrave nga komisionet përgjegjëse. Në vend të tyre, ishin nënshkruar vetëm fletë-dërgesat e operatorëve ekonomikë.

Parregullësi në menaxhimin e stokut farmaceutik
Në vitin 2025, Ministria ka raportuar stok farmaceutik në vlerë mbi 7 milion euro, por auditorët kanë evidentuar parregullsi në menaxhim.
Katër artikuj barnash në vlerë 95,520 euro kishin kaluar afatin e përdorimit, por vazhdonin të figuronin në regjistrat e stokut si të vlefshëm.
Po ashtu janë identifikuar produkte pa çmim, mospërputhje në datat e skadencës dhe regjistrime me sasi decimale, të cilat sipas ZKA-së ndikojnë në besueshmërinë e të dhënave dhe mund të çojnë në mbivlerësim të stokut.

Pasuri të klasifikuara gabim
Raporti evidenton gjithashtu probleme në regjistrimin e pasurisë shtetërore, përfshirë nënvlerësime dhe mbivlerësime në regjistra financiarë.
Ndër rastet e veçuara janë projekte dhe sisteme të klasifikuara gabim, si dhe mosaplikim i normave të zhvlerësimit për disa pasuri, çka ka ndikuar në paraqitjen e pasaktë të vlerës së pasurisë.

Detyrime kontingjente të pasakta
ZKA ka evidentuar edhe pasaktësi në regjistrin e detyrimeve kontingjente, të deklaruara në vlerë prej 6.53 milion euro.
Sipas raportit, disa raste janë paraqitur pa dokumentacion të plotë, ndërsa të tjera janë klasifikuar gabim si detyrime kontingjente, pavarësisht statusit të tyre gjyqësor.
Mungesa e koordinimit ndërmjet njësive juridike dhe financiare, sipas auditorëve, ka ndikuar në paraqitjen jo të saktë të gjendjes financiare.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikon rregullisht raporte vjetore të auditimit për institucionet publike në Kosovë, me qëllim vlerësimin e mënyrës së menaxhimit të fondeve publike dhe pajtueshmërisë me ligjet në fuqi. Këto raporte identifikojnë mangësi, parregullsi dhe japin rekomandime për përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit në administratën publike./Gazeta Shneta/


