Shkruan: Dr. Roland Keta – kardiolog në Poliklinikën e Specialiteteve Nr.4, Tiranë
Fibrilacioni atrial është një ritëm jo normal dhe i çrregullt i zemrës në të cilin sinjalet elektrike gjenerohen në mënyrë kaotike në dhomat e sipërme të zemrës. Disa njerëz me fibrilacion atrial nuk shfaqin shenja apo simptoma.
Fibrilacioni atrial është takikardia supraventikulare më e zakonshme. Ky shkarkim bën që aftësia e atriumeve për të pompuar gjak te ventrikujt të ulët dhe në këtë mënyrë të ulët dhe sasia e gjakut që shkon në organizëm.
Cili është funksioni normal i zemrës?
Zemra ka katër dhoma (dy dhomat e sipërme quhen atriume dhe dy dhomat e poshtme quhen ventrikuj):
1) atrium i djathtë (lartë djathtas)
2) atrium i majtë (lart majtas)
3) ventrikuli i djathtë (poshtë djathtas)
4) ventrikuli i majtë (poshtë majtas)
Gjaku që kthehet në zemër nga trupi përmban sasi të vogël oksigjeni dhe sasi të lartë dioksid karboni. Ky gjak kalon në atriumin e djathtë dhe më pas zbret poshtë në ventrikulin e djathtë. Pasi mbushet kontraktimi (tkurrja) i atriumit të djathtë pompon gjak shtesë në ventrikulin e djathtë. Pastaj ventrikuli i djathtë kontraktohet dhe pompon gjakun në mushkëri ku gjaku merr oksigjen dhe lë dioksidin e karbonit.
Më pas gjaku shkon nga mushkëritë në atriumin e majtë dhe pastaj zbret poshtë në ventrikulin e majtë. Kontraktimi (tkurrja) i atriumit të majtë pompon gjakun në ventrikulin e majtë. Ventrikuli i majtë kontraktohet dhe e pompon gjakun në aortë dhe më pas në gjithë trupin nëpërmjet sistemit vaskular.
Pulsi (rrahja e zemrës) që në ndiejmë shkaktohet nga kontraktimi i ventrikujve. Ventrikujt duhet të çojnë gjak mjaftueshëm në trup në mënyrë që ai të funksionojë normalisht. Sasia e gjakut që pompohet varët nga disa faktorë. Faktori kryesor është frekuenca e kontraktimit të zemrës. Kur frekuenca rritet, me shumë gjak pompohet. Zemra pompon më shumë gjak nëse rritet frekuenca e rrahjeve të saj.
Si funksionon sistemi elektrik i zemrës?
Në çdo rrahje të zemrës kalon një shkarkim elektrik nëpër sistemin elektrik të zemrës. Ky shkarkim bën që muskuli i atriumeve dhe ventrikujve të kontraktohet (tkurret) dhe të pompojë gjak. Sistemi elektrik i zemrës përbëhet nga nyja sino-atriale (sinoatrial node), nyja atrio-ventrikulare dhe inde të veçanta në atrium dhe ventrikuj të cilat bëjnë përçimin e sinjalit elektrik (shkarkimit).
Nyja sino-atriale është gjeneratori i sistemit elektrik në zemër (pacemaker). Është një grup qelizash të specializuara të lokalizuara në muret e atriumit të djathtë. Frekuenca me të cilën këto qeliza shkarkojnë rrymë elektrike përcakton shpejtësinë e rrahjeve të zemrës. Shkarkesa elektrike kalon nga nyja sino-atriale nëpërmjet sistemit elektrik të qelizave në nyjen atrio-ventrikulare.
Nyja atrio-ventrikulare shërben si një stacion ndërmjet atriumeve dhe ventrikujve. Sinjali për të kaluar në ventrikuj duhet patjetër të kalojë në nyjen atrio-ventrikulare. Shkarkesa elektrike nga nyja sino-atriale shkakton tkurrjen e atriumeve dhe më pas shkarkesa elektrike kalon në nyjen atrio-ventrikulare dhe më pas me ndihmën e indit special përçues në ventrikuj duke dhënë tkurrjen e ventrikujve.
Në një zemër normale frekuenca e rrahjeve të atriumeve është e njëjtë me atë të ventrikujve. Në gjendje të qetë frekuenca e rrahjeve të zemrës është rreth 60 deri në 80 rrahje në minutë. Gjatë aktivitetit fizik frekuenca e shkarkese së nyjës sino -atriale rritet dhe në këtë mënyrë rriten dhe rrahjet e zemrës.
Ankesat e të sëmurëve me fibrilacion atrial:
Marrje mendsh
Gjendje të fikti
Dobësi
Lodhje
Marrje fryme
Dhembje kraharori
Rrahje të shpeshta të zemrës.
Çfarë e shkakton fibrilacionin atrial?
Shkaku i fibrilacionit atrial është një ritëm jo normal i zemrës.
Gjatë këtij ritmi sinjalet elektrike nuk gjenerohen vetëm nga nyja sino-atriale por edhe nga zona të tjera në atrium. Këto shkarkesa janë të çrregullta dhe të shpejta dhe mund të arrijnë deri në 350 në minutë. Shkarkesat e shpejta dhe të çrregullta shkaktojnë tkurrje joefektive të atriumeve. Në këtë rast atriumet dridhen në vend që të tkurren. Kjo gjë ul aftësinë e atriumeve për të pompuar gjak në ventrikujt e zemrës.
Shkarkesat elektrike të shpejta dhe të çrregullta nga atriumet kalojnë në nyjen atrio-ventrikulare dhe më pas në ventrikuj duke bërë që ventrikujt të tkurren në mënyrë jo të rregullt dhe të shpejtë.
Tkurrjet e tyre mund të shkojnë deri në 150 herë /minutë me ngadalë se sa në atrium. (ventrikujt nuk mund të kontraktohen deri në 350 herë në minutë). Edhe me frekuencë 150 herë në minutë ventrikujt nuk kanë kohë të mjaftueshme për tu mbushur me gjak për tkurrjen e ardhshme. Fibrilacioni atrial ul pompimin e sasisë së gjakut të mjaftueshëm për organizmin për shkak të shpejtësisë së lartë të rrahjeve të zemrës.
Si ta kuptojmë që jemi të rrezikuar nga fibrilacioni atrial?
Ka shumë faktorë rreziku të cilët ndikojnë në fibrilacionin atrial. Ato janë:
Mosha e madhe (1% e njerëzve mbi 60 vjeç vuajnë nga fibrilacioni atrial).
Sëmundjet koronare (përfshirë infarktin në zemër).
Tensioni i lartë.
Funksioni jo normal i muskulit të zemrës ( insuficienca kardiake).
Sëmundja e valvulës mitrale (ngushtimi apo insuficienca).
Hipertiroidizmi ose mbidoza e mjekimeve të tiroides.
Sasi e vogël e oksigjenit në gjak, për shembull, siç ndodh me sëmundjet e mushkërive siç është: emfisema apo sëmundjet kronike obstructive të mushkërive (COPD).
Inflamacioni i perikardit (shtresa që rrethon zemrën).
Koagulat në mushkëri (embolia pulmonare).
Konsumimi i alkoolit në sasi të mëdha.
Ilaçet siç janë dekongjestionuesit për hundët e bllokuara dhe drogat siç është: kokaina apo heroina.
Kirurgji e zemrës ose mushkërive.
Strukture jo normale e lindur e zemrës (anomalitë kongenitale të zemrës).
Si bëhet diagnostikimi i fibrilacionit aterial?
Fibrilacioni atrial mund të jetë kronik dhe i qëndrueshëm (gjatë gjithë kohës) ose i shkurtër dhe intermintent (herë pas here ndodh dhe kthehet në ritëm të rregullt). Mjekët mund t’i dëgjojnë rrahjet e shpejta dhe të çrregullta të zemrës me stetoskop. Rrahjet jo të rregullta të zemrës mjeku mund t’i ndiejë dhe kur mat pulsing e pacientit. Testet për diagnostikimin e fibrilacionit atrial • EKG (elektrokardiogram): Elektrokardiograma është një regjistrim i shkurtër i shkarkimeve elektrike të zemrës. Nëse fibrilacioni atrial ndodh gjatë EKG-së, atëherë gjurmët e tij dallohen qartë.
Ekokardiografi: Ekokardiografia përdor valët e ultrazërit për të parë pamjet e dhomave, valvulave dhe perikardit. Gjendjet shoqëruese të fibrilacionit atrial të tilla si prolapsi i valvulës mitrale, sëmundja reumatizmale e zemrës dhe perikardit (inflamacioni i shtresës që rrethon zemrën) mund të pikasen me ekokardiografi. Ekokardiografia është gjithashtu e dobishme për të bërë matjet e përmasave të dhomave të atriumeve. Madhësia e atriumeve është një faktor i rëndësishëm për të vendosur nëse një pacient i përgjigjet trajtimit të sëmundjes. P.sh., në pacientet me atrium të zmadhuar është më e vështirë për të mbajtur një ritëm normal.
Ekokardiografia transezofagale (TEE): Ekokardiografia transezofagale është një teknikë e veçantë ekografie e cila bën foto të atriumeve duke përdorur valët zanore. Një sonde e veçantë vendoset në tubin e ushqimit (ezofag). Kjo sondë futet nga goja deri në ezofag (tubi i ushqimit që lidh gojën me stomakun) dhe në këtë mënyrë e ajo është shumë afër me zemrën. Me ndihmën e valëve zanore të lëshuara nga sonda ne mund të shohim me saktësi strukturën e zemrës. Kjo procedurë dallon trombet që mund të ndodhen në atrium dhe në anekset e tyre.
Holteri: Me ndihmën e tij matet ritmi i zemrës për 24 orë dhe në këtë mënyrë mund të shohim dhe konfirmojmë fibrilacioni atrial .
Teste të tjera: Teste të gjakut për të parë : sasinë e oksigjenit dhe të dioksidit të karbonit, nivelin e elektroliteve në gjak (kripërave), hormonet e tiroides. Stres testi për të evidentuar sëmundjen e enëve të gjakut të zemrës.
Cilat janë rreziqet nga fibrilacionit atrial?
Komplikacionet e fibrilacionit atrial përfshijnë insuficiencën kardiake (pamjaftueshmëria e zemrës) dhe infarktet në tru apo në pjesë të tjera të organizmit siç janë: zorrët, këmbët, duart, zemra, mushkëritë. Këto situata mund të çojnë deri në vdekjen e të sëmurit.
Cili është trajtimi i fibrilacionit atrial?
Trajtimi është në disa aspekte dhe përfshinë:
Gjetjen dhe shërimi e faktorëve që e shkaktojnë atë.
Ngadalësimin e rrahjeve të zemrës me ilaçe.
Parandalimin e goditjes në tru (infarktit në tru).
Kthimin e fibrilacioni atrial në ritëm normal të zemrës me ilaçe apo me shok elektrik (defibrilim)
Parandalimin e rikthimit të fibrilacionit atrial.
Përdorimin e procedurave siç janë: pacemaker, defibrilatorët, kirurgjia për të parandaluar episode e sëmundjes.
Trajtimi i fibrilacionit atrial bëhet nëpërmjet gjetjes së shkakut, uljen apo rregullimin e ritmit të zemrës dhe parandalimit të goditjes në tru nëpërmjet marrjes së holluesve të gjakut.
Mjekimet përdoren në planin afatgjatë në mënyrë për të parandaluar ripërsëritjen e fibrilacionit atrial, por ato mund të mos japin rezultat apo mund të kenë efekte anësore. Kardioversioni elektrik është i suksesshëm në 95% të pacientëve me fibrilacion atrial por në 75% të tyre, fibrilacioni atrial përsëritet brenda vitit të parë ose të dytë.
Disa mjeke mund edhe ta lënë pacientin me fibrilacion atrial për sa kohë që ritmi është nën kontroll, qarkullimi i gjakut është normal dhe medikamentet për hollimin e gjakut merren rregullisht. Trajtimet pa medikamente të fibrilacionit atrial përfshijnë pacemakerin, ablacionin atrio-ventrikular, defibrilatorët atrial dhe procedurës kirurgjikale të Maze-it.
Izolimi i venës pulmonare tregon avantazhe për trajtimin e sëmundjes dhe të suksesit afatgjatë për mbajtjen e ritmit. Prognoza për pacientët me fibrilacion atrial varet nga shkaktari i kësaj gjendjeje dhe zgjatja e kësaj sëmundjeje të zemrës.