Lira Gjika, psikologe dhe njëherësh mjeke pediatër në Shqipëri, ka tematizuar për Supershendeti.com në lidhje me gjendjen emocionale, qasjen e gabuar të prindërve ndaj tyre dhe këshilla në lidhje me atë se si duhet vepruar.
1. Lëreni fëmijën të qajë
Kur të rriturit nuk aprovojnë të qarën e fëmijëve, ata padashur, kultivojnë gjymtimin tek ai.
Kur fëmijës i paragjykohet e qara, i rrituri i ka gjymtuar mënyrën natyrale e të shëndetshme, të të shprehurit të stresit, shpjegojnë specialistët e psikikës.
Kur një i rritur i thotë fëmijës se: “Nuk ka asgjë për të qarë”, “mjaft qave”, “ç’ka këtu për të qarë” apo “e ku dhëmb kjo”, fëmija mbyllet në vetvete dhe përpiqet ta shtypë këtë ndjesi.
Të gjitha këto sëbashku, ngatërrojnë ndjejat e fëmijës për veten e tij.
Janë këto sjellje të të rriturit sëbashku me përpjekjet e sforcuara të fëmijës për të shtypur dhimbjen dhe zemërimin që provon, të cilat shmangin zhvillimin e dhimsurisë.
Moszhvillimi i dhimsurisë ndërton strukturat psiqike me veprim afatgjatë që ashtu heshturazi, ushqejnë pandjeshmërinë ndaj vuajtjes dhe tjetrit dhe po ashtu heshturazi kompromentojnë shëndetin mendor.
2. Forma e gabuar si u thërrasim fëmijëve
Të rriturit pa dallim, të shkolluar apo jo, prindër apo profesionistë, mësues e gjuhëtarë, kur flasin me fëmijën i drejtohen në rasën “thirrore”, që nuk bën pjesë më në gramatikën shqipe. Kujtoni “o çuni ose o Flutra dëgjo këtu”.
Gjithashtu përdorin vetëm fjalitë në formën urdhërore dhe pyetse. Sidomos këtë të fundit, e përdorin sa herë janë të nxehur dhe do të fillojnë sulmin kundër fëmijës.
Ajo që është më e habitëshme, në shkollë mësuesit u mësojnë nxënësve, se forma më cilësore për të dialoguar është fjalia dëftore, por për çudi ata vetë, kur u flasin e u drejtohen nxënësve, përdorin formën urdhërore e pyetëse.
Këtë formën dëftore nuk e përdorin që nuk e përdorin.
Ka ardhur koha që ne të rriturit të fillojmë të përdorim fjalinë dëftore dhe të heqim nga përdorimi “rasën thirore”, nëse vërtetë duam, që nesër fëmijët të bëhen më qytetarë e të edukuar se ne.
3. Pozicioni se si duhet t’u flasim fëmijëve
Të rritur, Prindër, kur flisni me fëmijën kujtohuni që flisni në një pozicion nga lartë poshtë.
Pra ju, ulni pak kokën, për të folur me fëmijën, ndërsa fëmija, e gre shumë kokën, për tju parë e dëgjuar ju.
Pozicionohuni njëherë të vetme si fëmijët. Provoni një herë, siç bëjnë fëmijët çdo çast dhe do të provoni vetëm vështirësinë fizike që has fëmija për tju shikuar në sy dhe dëgjuar.
Pa mendoni, se me sa vështirësi të tjera haset fëmija, për të kuptuar fjalën tuaj dhe mbi të gjitha apo i bën mirë veprimet.
Kujdes, prindër e të rritur kur të flisni me fëmijën, ose uluni edhe ju në nivelin e fëmijës ose ngrijeni atë në nivelin tuaj.
Nëse vërtetë doni që të bëni mirë misionin e prindit apo të edukatorit, përpiquni të kujtoheni që fëmijët janë të vegjël edhe fizikisht
4. Sjelljet agresive të prindërve, janë pasojë te fëmijët
Ne të rriturit kur ndihemi vetëm, të fyer, të neglizhuar nga indiferenca e tjetrit dhe e të tjerëve, na pushton një inat dhe mospërmbajtje, sa harrojmë gjithshka dhe sillemi aq keq, madje edhe me ata, që nuk kanë asnjë faj, madje, janë edhe mbështetës.
Ne shpërthejmë me veprime, ngritje zëri e fjalor të pakontrolluar.
I harrojmë të gjitha, edukatën, etikën, madje edhe fëmijët, që janë aty e shohin e dëgjojnë.
Po, kur shohim një fëmijë, që kryen një veprim të paragjykuar “I keq”, reagojmë menjëherë, deri duke e penalizuar dhe etiketuar fëmijën.
Gjithashtu i japim të drejtë vetes, që bëmë mirë, që e ndëshkuam fëmijën, sepse ai u soll keq, u soll paedukatë.
Ajo, që është më e çuditshmja, asnjëherë nuk kujtohemi kur sillemi vetë në këtë mënyrë.
Edhe fëmija si ne, është keq dhe ka nevojë të jetë i ndihmuar. Të ndihmohet që të dalë nga gjëndja e keqe që e “ka pushtuar”, por përkundrazi, gati shijojmë ndëshkimin që i bëmë fëmijës.
As, që na shkon në mend, që ta mendojmë veprimin si një rezultante e një gjendje emocionale të rënduar të fëmijës, pasi nuk di si të bëjë dhe të një modeli të ofruar nga mjedisi, më saktë nga ne, të rriturit.
Prindër, të rritur! Sjellja është pasojë.
Sjelljet e fëmijëve janë pasqyra ku duhet të shohim dhe testojmë, në rradhë të parë, sjelljen dhe etikën tonë.
5. Mos i pyesni fëmijët “PSE”
Pyetja “pse” është pyetje që e bëjnë vetëm fëmijët, sepse ende nuk dinë të bëjnë pyetje.
Prindër, mos ju drejtoni fëmijëve me pyetjen “pse”.
Këtë pyetje e bëjnë vetëm ata dhe jo ju që jeni të rritur.
Vërtetë, pyetja “pse’ është fjala e parë që del nga goja e njeriut, kur përballet me një gjë të panjohur, të pakuptueshne dhe njëherazi ndihet i pafuqishëm për të menduar e kuptuar këtë gjëndje, por këtu qëndron edhe diferenca e të qenit i rritur dhe i parritur.
Të jesh i rritur do të thotë që në rradhë të parë, të dish të bësh pyetje që të marrësh përgjigje.
Fëmija bën pyetjen “pse”, sepse po mëson të mendojë, pra edhe të bëjë pyetje.
Pyetja “pse” është një pyetje e papërcaktuar, që më shumë të frenon dhe të tremb se sa të ndihmon të mendosh, për të dhënë përgjigjen e duhur.
Kështu, kur kjo pyetje del nga goja e të rriturit, fëmija bëhet konfuz dhe i pasigurt në veten e tij.
Provojeni vetë se çfarë ndjeni, kur ju drejtohen me këtë pyetje.
Pyetja “pse” është pyetje, që provokon pasiguri dhe dyshim te personi që i drejtohet.
Të rritur, prindër, edukatorë dhe mësues, mendohuni seriozisht kur i bëni pyetje fëmijës, pasi kur i drejtoni këtë pyetje, ju nuk ja drejtoni që të merrni përgjigje, më shumë për ta trembur.