Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka organizuar një konferencë për trajtimin e infarktit akut të miokardit. Kjo ngjarje është sponsorizuar nga dy kompani për produkte dhe pajisje medicinale të cilat fitojnë vazhdimisht tenderë, ‘Alkoolid’ dhe ‘Uni-Care’
Me një organizim dhe pjesëmarrje relative po mbahet sot një konferencë për kardiologji e organizuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar. Në njoftimin për mbajtjen e konferencës thuhej se do të merrte pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, por Uran Ismaili nuk u duk fare në këtë ngjarje. Përveç tij, konferencën duket se e bojkotuan edhe kardiologët e QKUK-së të cilët ishin fare pak në numër, shkruan Gazeta Shneta.
Konferenca e organizuar nga SHSKUK dhe Ministria e Shëndetësisë është sponsorizuar nga dy kompani që fitojnë tenderë. Vetëm njëra prej tyre ‘Uni-Care’, ka përfituar tenderë nga MSH dhe SHSKUK vetëm këtë vit mbi 1 milionë euro. Në këto kontrata përfshihet edhe blerja e MRI-së e cila ka kushtuar afër 900 mijë euro.
Po aq, mbi 1 milionë euro ka përfituar kontrata edhe kompania ‘Alk&Kos’ si përfaqësuese e ‘Alkoloid’ në Prishtinë.
Kjo konferencë e udhëhequr nga drejtori i Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive Dr. Tefik Bekteshi, u hap me lavde të shumta kushtuar ministrit Ismaili për siç u tha “mprehtësinë e tij”, dhe drejtorit të SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu si “vizionar dhe pragmatik”.
Ky i fundit pasi falënderoi pjesëmarrësit, organizatat që e kanë përkrahur konferencën, por nuk i përmendi sponsorët. “Kjo konferencë e ka rëndësinë e vet sepse është e para dhe vjen pas një rrugëtimi të gjatë. Në Kosovë kardiologjia invazive ka filluar me një ekip të trajnuar në vitin 2002 në Tuzëll. Kjo ekipë realizoi koronarografinë e parë në vitin 2003 dhe në vitin 2005 stentën e parë”, ka deklaruar Sejdiu.
Në konferencë kanë marr pjesë përfaqësuesi i Qendrës Universitare të Lubljanës Dr. Marko Noc, përfaqësues të Qendrës së Shkupit Dr. Slobodan Antov dhe Dr. Oliver Busljetik. Kjo konferencë është akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës me 20 pikë. /Gazeta Shneta/