Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka treguar nëse Qeveria të cilën e drejton ai do të marr vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve me orare të caktuara.
Kurti është pyetur nga Gazeta Shneta në konferencën e sotme nëse do të marr një vendim të tillë, sikurse ka ndodhur në Shqipëri, por ai i është shmangur pyetjes.
“Ne vendimet si Qeveri jemi duke i marr me internet duke i kontaktuar me email ministrat dhe anëtarët e kabinetit sepse parashihet mbledhja me korrespodencë dhe praktikisht po na mundëson atë që është bërë jetike për Qeverinë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se nuk e dinë se kur do të përfundojë kjo krizë por ka thënë se po bëjnë gjithçka që të mos vijë puna në një pikë të pakthim ku do të kolapsonte sistemi i shëndetësisë.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Shëndetësisë ne do t’i marrim vendim në ditët në vijim varësisht prej rrethanave në të cilat ndodhemi dhe nuk mund ta parashikojmë vendimin që do ta marrim të hënën ose të martë, apo edhe nesër të dielën. Për neve është e rëndësishme që të jemi maksimalisht vigjilent”, ka deklaruar Kurti.
Ai vazhdimisht iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë distancë, të mbajnë pastërtinë dhe të qëndrojnë në shtëpi. /Gazeta Shneta/