Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit janë të infektuar 17 anëtarë të stafit mjekësor të repartit të hemodializës dhe nëntë pacientë.
Këto të dhëna janë bërë të ditur nga drejtori i Spitalit të Prizrenit Dr. Afrim Avdaj. Ai ka thënë se katër pacientë po trajtohen në Klinikën Infektive në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
“Nga testimi i gjithë personelit të hemodializës pozitiv kane rezultuar: 2 mjekë, 13 infermierë, 1 punëtore teknike dhe 1 punëtor i higjienës. Në spitalin e Prizrenit janë 5 pacientë pozitiv me COVID-19 që marrin shërbimet e hemodializës, ndërsa 4 janë duke u mjekuar në Klinikën Infektive në QKUK”, ka deklaruar Avdaj në përgjigjet me shkrim për gazetën.
Ai ka thënë se përkundër infektimit të stafit, reparti i hemodializës është duke funksionuar me kapacitetet të plotë e madje shërbimet po i marrin edhe 14 pacientë nga veriu i Shqipërisë.
“Reparti i Hemodializës është duke punuar me kapacitete të plotë. Në repartin e Hemodializës shërbime të hemodializës ju ofrohen 229 pacientëve, prej tyre: 111 nga komuna e Prizrenit, 39 nga komuna e Rahovecit, 33 nga komuna e Suharekës, 21 nga komuna e Malishevës, 11 nga komuna e Dragashit, si dhe 14 pacientë nga Veriu i Shqipërisë”, ka deklaruar Avdaj.
Në Klinikën Infektive për trajtimin e pacientëve me dializë kanë asistuar stafi i Klinikës së Nefrologjisë ku para disa javësh ishte infektuar një infermiere. E njëjta tashmë është shëruar nga kjo sëmundje.
Kontaminimin dhe rrezikimin e pacientëve dhe stafit mjekësor të hemodializës e ka alarmuar edhe profesori dhe infektologu Dr. Salih Ahmeti. Në një shkrim të dedikuar për këtë problem të publikuar në Gazetën Shneta ditë më parë, Ahmeti alarmoi se pacientët e dializës janë shumë të rrezikuar për shkak të imunitetit të dobët.
“Këta pacientë në aspektin shëndetësor janë një grup mjaft vulnerabil, sepse kanë imunitet të pamjaftueshëm për t’u përballuar me SARS-COV-2, sepse krahas dëmtimit të veshkave, kanë edhe sëmundje shoqëruese dhe infeksione të shpeshta me virusin e Hepatitit C apo B, e ndonjëherë me të dy këto viruse”.
“Bërja e hemodializës deri në 3 herë në javë, proceduarat e hemodializës dhe qëndrimi në ambientet spitalore apo para-spitalore, ardhje-shkuarjet, etj., krijojnë mundësi që këta pacientë të ekspozohen ndaj infeksionit. Këto dhe të tjera shkaqe bëjnë që këta pacientë të jenë në grupin e pacientëve me rrezikshmëri të lartë”, ka deklaruar Ahmeti.
Për të parandaluar përshkallëzimin e këtij rreziku infektologu ka bërë thirrje për respektimin e masave mbrojtëse në hapësirat e hemodializës. /Gazeta Shneta/