Spitali i Vushtrrisë ka dërguar listën e punëtorëve të pastrimit për përfitim nga pakoja fiskale emergjente dhe në mesin e tyre e ka futur edhe pronarin e kompanisë “Aroma Plus”. Pronari figuron në pozitën “Përgjegjës” dhe nga kompania deklarojnë se këtu nuk ka asgjë të keqe sepse ai merr rrogë për këtë pozitë. Nga Spitali thonë se kanë vepruar në pajtim me rekomandimet
Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” i cili udhëhiqet nga Dr. Mursel Pllana, ka dorëzuar listat e punëtorëve për përfitim nga 300 euro nga pakoja fiskale emergjente e Qeverisë sipas masës numër 6. Në këtë listë përveç stafit mjekësor, janë dërguar edhe emrat e punëtorëve të pastrimit. E, në mesin e tyre është edhe pronari i kompanisë “Aroma Plus”, me të cilën spitali ka kontratë për pastrim, shkruan Gazeta Shneta.
Menaxhmenti i spitalit përmes zyrtarit për informim Abdullah Klinaku, ka thënë se spitali ka vepruar në pajtim me rekomandimet e ardhura nga organet më të larta menaxheriale përmes një emaili zyrtar të datës 22 prill ku ishte kërkuar edhe lista e punonjësve të operatorit ekonomik të pastrimit.
“Përgjegjësi e jona ka qenë vetëm vërtetimi i listës së punonjësve të O.E, që janë të angazhuar në kompani e të cilët në të njëjtën kohë kanë qenë të angazhuar edhe gjatë kësaj kohe. Punonjësit e Kompanisë, duke qenë se e pastrojnë hapësirat ku kanë qenë pacientët potencial me COVID-19. Sa i përket z. Krasniqi, ai në këtë rast është menaxher i punonjësve si punonjës i Kompanisë”, thuhet në përgjigjen e spitalit.
Në anën tjetër menaxheri i kompanisë “Aroma Plus”, Skender Krasniqi, ka thënë se pronari Dijar Krasniqi është përgjegjës për ekipin e punëtorëve të pastrimit në spital dhe për këtë punë merr rrogë nga kompania.
“Ai është pronar por është edhe përgjegjës për punëtorët në spital dhe ka qenë i angazhuar vazhdimisht edhe në kohën e pandemisë me furnizim të materialeve, me organizim të punës dhe në pastrim gjeneral. Nuk e di çka ka të keqe këtu”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi ka shtuar se punëtorët dhe as pronari ende nuk i kanë marr paratë nga Ministria e Financave.
Në anën tjetër nga Spitali kanë deklaruar se stafi mjekësor kanë pasur raste kur janë ballafaquar me të prekur nga Covid-19.
“Kemi pas raste kur jemi ballafaquar edhe me të prekur me COVID-19. Ku direkt i janë ekspozuar rrezikut. Listat e përfituesve pasi janë dorëzuar, ka pas ndërhyrje dhe sugjerime shtesë nga organet e më larta të cilat janë respektuar dhe në fund janë dorëzuar listat finale. Verifikimi final i këtyre listave siç jeni duke e parë është duke u kryer në vazhdimësi dhe nga Ministria e Financave”, thuhet në përgjigjen e spitalit të Vushtrrisë.
Gazeta Shneta ka raportuar edhe ditën e djeshme për punëtorë të recepsionit, administratës dhe inkasantë që kanë përfituar nga 300 euro ndihmë si punëtorë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. /Gazeta Shneta/