Ministria e Shëndetësisë kishte kërkuar dy herë nga Policia e Kosovës dhe nga Autoriteti i Konkurrencës që të hetojnë tenderët me procedura të negociuara gjatë kohës së pandemisë.
MSH më datën 12 maj 2020 i kishte dërguar një kërkesë drejtorit të Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës Riza Shillova dhe kryetarit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës Valon Prestreshit, ku kërkohej hetime për kontratat e negociuara, shkruan Gazeta Shneta.
“Marrë parasyshë situatën me pandeminë, Ministria e Shëndetësisë vazhdon të pranoj kërkesa emergjente nga njësitë përkatëse për inicimin e procedurave për sigurimin e mjeteve për furnizimin me mjete për mbrojtje personale, barna dhe pajisje. Pas inicimit të procedurave për prokurim, ofertat e operatorëve ekonomik në disa raste vazhdojnë me çmime abuzive”, thuhet në letrën e MSH-së.
MSH në këtë letër fajëson operatorët ekonomik se kanë fryrë çmimet e produkteve dhe pajisjeve mjekësore. “Ministria e Shëndetësië përmes Komisionit për mbledhjen e çmimeve referente në depot farmaceutike dhe barnatoret për furnizim emergjent me mjete për mbrojtje personale, barna dhe pajisje, hulumton tregun e sektorit privat, me ç’rast është konstatuar që çmimet momentale janë të fryra”, thuhet në këtë letër.
MSH një kërkesë të njëjtë këtyre dy institucioneve ua kishte adresuar edhe më datën 10 mars, para se të fillonte zyrtarisht pandemia në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë ka shpërblyer disa kompani me miliona euro për furnizim me materiale mbrojtëse kundër koronavirusit. Vet Sekretari i MSH-së Naim Bardiqi dje në Komisionin parlamentar për Shëndetësi ka thënë se kanë pranuar oferta me çmime deri në 20 euro për një mask FFP2, kontratë kjo e cila është anuluar.
MSH në disa lote ka paguar maskat deri në 8 euro e gjysmë, çmim ky që ishte shumë herë më i lart sesa çmimi në treg para se të fillonte pandemia.
Kujtojmë se hetime për këto tenderë të negociuar ka kërkuar edhe Komisioni parlamentar për Shëndetësi, pas dyshimeve të ngritura për keqpërdorime. /Gazeta Shneta/