Dr.Peter Hotez, profesor dhe dekan i mjekësisë në SHBA, tha se është e vështirë të nxjerrësh përfundime në këtë pikë nga të dhënat e vaksinave të botuara nga Universiteti i Oksfordit.
Hotez parashikoi se do të duhet deri në mes të vitit të ardhshëm për të zbuluar nëse vaksina në të vërtetë funksionojnë shkruan CNN, transmeton GazetaShneta.
“Të dhënat që vijnë nga vaksina e Oksfordit, në një dozë të vetmë nuk duken shumë efektive.Nivelet e antitrupave neutralizuese të virusit, për të cilët shumë mendojnë se janë një tregues i mirë nëse vaksinat do të funksionojnë, nuk ishin shumë të larta”, tha Hotez.
Ai shtoi se rezultatet sugjerojnë se është i nevojshëm një testim më i madh.
“Të gjitha këto vaksina do të fillojnë të hyjnë në fazën 3 të provave klinike në periudha të ndryshme gjatë vitit të ardhshëm dhe më pas do të duhet një vit për të grumbulluar të gjitha të dhënat që tregojnë se vaksinat në të vërtetë funksionojnë, si dhe që ato janë të sigurta … Por mbajini në mendje, vaksinat e para mund të mos jenë vaksinat tona më të mira”, shtoi Hotez.
Ka 23 vaksina Covid-19 aktualisht në prova klinike në nivel global, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit./GazetaShneta/