U.D. i drejtorit të SHSKUK-së dr. Valbon Krasniqi ka thënë se spitalet e Kosovës janë të kufizuara me kapacitete për përballimin e situatës me Covid-19, e poashtu edhe stafi mjekësor është duke u infektuar me virus.
Krasniqi ka deklaruar se Kosova ka qenë e përgatitur për pandeminë vetëm për një periudhë tre mujore, e jo për një përhapje të tillë të virusit.
Radio Evropa e Lirë: Cila është gjendja aktuale me COVID-19 në Kosovë?
Valbon Krasniqi: Gjendja aktuale është jashtëzakonisht e rënduar. Tash e një muaj kemi rritje të numrit të rasteve të të infektuarve në nivel vendi dhe kjo po përcillet edhe me rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë hospitalizim.
Ne kemi pothuajse rreth 600 pacientë të shtrirë në klinikat tona në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe spitale rajonale. Ky numër është i madh kur dihen kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor.
Bazuar në vendimet e qeverisë, të datës 5 korrik, për riorganizimin e personelit shëndetësor, shtimin e kapaciteteve të reja dhe shtimin e numrit të shtretërve dedikuar pacientëve, i kemi bërë të gjitha veprimet në këtë drejtim dhe kemi në dispozicion 750 shtretër për të prekurit nga COVID-19.
Spitalet me kapacitete të kufizuara e staf shëndetësor të infektuar
Kemi qenë të detyruar ta riorganizojmë një pjesë të madhe të stafit shëndetësor, i cili është duke u marrë me trajtimin e këtyre rasteve. Tashmë i kemi katër klinika brenda QKUK-së, Klinikën Infektive, Pulmologjinë, Neurologjinë dhe Mjekimin Intensiv Qendror, ndërkohë që po planifikojmë të hapim edhe ndonjë repart ose klinikë tjetër, për shkak të rritjes së madhe të numrit të rasteve që po vijnë në QKUK, dhe jemi në riorganizim të ambulancave të pranimit.
Kohëve të fundit është bërë regjionalizimi i pacientëve, që nënkupton se pacientët që vijnë nga regjionet, do të trajtohen në ato spitale rajonale. Kjo e ka lehtësuar sadopak fluksin e pacientëve që vijnë në QKUK.
Megjithëkëtë, numri [i pacientëve] është jashtëzakonisht i madh, si në spitalet rajonale, po ashtu edhe në klinikat e QKUK-së dhe ky presion i rritjes së numrit të rasteve po vazhdon.
Intervisten e plotë mund ta lexoni tek Evropa e Lirë.