Infermieri i Qendrës Klinike Universitare Enlirat Duraku ka deklaruar se sërish ka hyrë në grevë të urisë dhe etjes.
Duraku ka thënë se është në grevë urie që shtatë ditë, ndërsa nga sot nuk do të pijë as ujë dhe lëngje.
Në postimin e tij në Facebook, ai i ka paralajmëruar krerët e shtetit dhe deputetët për rrezikun që mund t’i kanoset nga abstenimi i lëngjeve.
“Trupat tanë kanë tendencë që të shfrytëzojnë rezervat e energjisë nga deponitë e ushqimit në organizëm për 2 apo 3 javë, por mungesa e lëngjeve shkakton probleme me funksionimin e veshkave brenda pak ditësh. Kur dikush nuk merr lëngje, dhe nëse ai ose ajo është i shtrirë në shtrat dhe kështu ka nevojë për pak lëngje, atëherë ky person mund të jetojë pak ditë ose për aq kohë sa dy javë”, ka deklaruar Duraku.
Kjo është hera e dytë që infermieri hyn në grevë urie me kërkesat për rritjen e pagesave të ndërrimeve të natës nga 18 në 36 euro, pagesat për vikende dhe orët shtesë, si dhe pagesën për rrezikshmëri në vendin e punës. /Gazeta Shneta/