Një fëmijë ka pësuar lëndime trupore pasi u rrëzua në shkallët e objektit të kirurgjisë në QKUK.
Qendra Klinike Universitare dhe Policia e Kosovës janë deklaruar lidhur me rastin, duke thënë se fëmija në momentin e incidentit ka qenë bashkë me babanë e tij duke vizituar një familjar të tyre në kirurgji, shkruan Gazeta Shneta.
“Një prind vizitor, derisa po vizitonte një të afërm në objektin e klinikave kirurgjike, kishte me vete një fëmijë të moshës rreth 4 vjeçare, i cili ka rrëshqitur në shkallë. Ekipet mjekësore kanë reaguar menjëherë, duke i ofruar tretmanin e nevojshëm mjekësor fëmijës, i cili pastaj është dërguar për ekzaminime shtesë në Klinikën Emergjente, ku edhe po merr trajtimin e mëtejmë mjekësor”, thuhet në sqarimin e QKUK-së.
Zëdhënësi i Policisë Agron Borovci në një deklaratë për Express ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30.
“Rreth orës 11:30, është pranuar informata se një fëmijë është rrëzuar nga shkallët e një klinike në QKUK, dhe i njëjti ka marrë lëndime trupore. Në kohën e rrëzimit fëmija nuk ka qenë i shtrirë në klinikë por ka qenë me prindin e tij në vizitë të një familjari. Aktualisht fëmijës është duke i’ u ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor në klinikën përkatëse, përderisa nga ana tjetër po trajtohen rrethanat e ngjarjes”, ka deklaruar Borovci. /Gazeta Shneta/