Varianti Omicron është bërë fokusi kryesor i pandemisë COVID në vetëm dy javë. Ky variant i ri i koronavirusit është zbuluar në më shumë se 50 vende deri më tani, përfshirë SHBA-në, dhe është bërë një nga shqetësimet kryesore – në epiqendër të mendjeve të ekspertëve të fushës së virologjisë.
Ky variant i karakterizuar me më shumë mutacione në proteinën gjembore se çdo version i virusit të mëhershëm, Omicron ka potencialin të minojë vaksinat ekzistuese, të cilat synojnë këtë proteinë, shkruan Best Life përcjell Gazeta Shneta.
Por ndërsa vazhdon të përhapet, zyrtarët shëndetësorë kanë përcaktuar tashmë se cilat masa mbrojtëse mund të jenë të dobishme kundër këtij varianti.
Më 9 dhjetor, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), zgjodhën të rekomandojnë zgjerimin e përshtatshmërisë së dozës përforcuese në SHBA, duke lejuar tani 16 dhe 17-vjeçarët të marrin një vaksinë shtesë të vaksinës Pfizer. Sipas agjencisë, kjo është bërë si masë paraprake kundër variantit të ri.
“Megjithëse nuk i kemi të gjitha përgjigjet për variantin Omicron, të dhënat fillestare sugjerojnë që doza përforcuese e COVID-19, mund të ndihmojë në zgjerimin dhe forcimin e mbrojtjes kundër Omicron dhe varianteve të tjera,” tha në një deklaratë drejtoresha e CDC, Rochelle Walensky.
Miratimi i CDC erdhi vetëm disa orë pasi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), zgjeroi autorizimin e përdorimit urgjent të Pfizer për të përfshirë këdo 16 vjeç e sipër për një injeksion përforcues.
Në një deklaratë, ushtruese e detyrës së komisionerit të FDA-së, Dr. Janet Woodcock, tha se vaksinimi dhe marrja e një doze përforcuese kur është e pranueshme mbetet një nga “metodat më efektive për të luftuar COVID-19” tani.
“Ndërsa njerëzit mblidhen në ambiente të mbyllura me familjen dhe miqtë për pushime, ne nuk mund të heqim dorë nga të gjitha masat parandaluese të shëndetit publik që kemi marrë gjatë pandemisë,” shtoi Dr. Woodcock.
“Me variantet Delta dhe Omicron që vazhdojnë të përhapen, vaksinimi mbetet mbrojtja më e mirë kundër COVID-19.” /Gazeta Shneta/


