Qyteti kinez i Shangait filloi të administrojë një vaksinë orale për COVID-19 të mërkurën, në atë që duket të jetë e para në botë.
Vaksina, spërkatësi që thithet përmes gojës, ofrohet falas si një dozë përforcuese për individët e vaksinuar më parë, sipas një njoftimi të postuar në një llogari zyrtare të qytetit në mediat sociale, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Mes tjerash, vaksinat pa gjilpëra mund t’i bindin njerëzit që nuk u pëlqen të vaksinohen, si dhe të ndihmojnë në zgjerimin e vaksinimit në vendet e varfra, sepse ato janë më të lehta për t’u administruar.
Kina nuk e ka të obligueshëm vaksinimin, por dëshiron që më shumë njerëz të marrin vaksina përforcuese përpara se të lehtësojë kufizimet e rrepta pandemike që po pengojnë ekonominë dhe gjithnjë e më shumë janë jashtë sinkronizimit me pjesën tjetër të botës.
“Ishte si të pish një filxhan çaj qumështi”, tha një banor i Shangait. “Kur e thitha, kishte pak shije të ëmbël”.
Rregullatorët kinezë miratuan vaksinën për përdorim si përforcuese në muajin shtator.
Kjo vaksinë u zhvillua nga kompania kineze biofarmaceutike Cansino Biologics Inc. si një version i vaksinës së adenovirusit të së njëjtës kompani, e cila përdor një virus relativisht të padëmshëm të ftohjes.
Kompania Cansino ka thënë se vaksina e thithur ka përfunduar provat klinike në Kinë, Hungari, Pakistan, Malajzi, Argjentinë dhe Meksikë.
Në anën tjetër, rregullatorët në Indi kanë miratuar një vaksinë nazale, një tjetër qasje pa gjilpëra, por ajo ende nuk është hedhur në treg.
Vaksina, e zhvilluar në SHBA dhe e licencuar nga prodhuesi indian i vaksinave Bharat Biotech, inhalohet direkt përmes hundës.
Rreth një duzinë vaksinash nazale po testohen globalisht, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/