Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj nuk ka fare ashensor. Pacientët brenda objektit të këtij spitali mund të lëvizin vetëm përmes shkallëve.
Lëvizja e vetme nga kati i parë në atë të dytë, në spitalin rajonal të Ferizajt, mund të bëhet vetëm përmes shkallëve, pasi që ashensori nuk egziston në këtë spital.
UD. Drejtori i Spitalit, Selajdin Sallahu, thotë se janë në pritje të një donacioni, por në rast se dështon atëherë ashensori do të rregullohet përmes buxhetit të spitalit.
Ai tregon se në raste shumë të rralla e përdorin ashensorin e Emergjencës Primare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare – objekti gjendet afër spitalit dhe mund të bëhet transferimi nga objekti i spitalit në atë të emergjencës primare.
“Ne nuk kemi ashensor fare. Është një ashensor i mjekësisë familjare – tek emergjenca primare është në pronësi të tyre, por ndonjëherë e shfrytëzojmë, në raste shumë të rralla, nga ai objekt mund të kalojnë në objekin e spitalit por në spital nuk kemi ashensor. Pacientet e gjinekologjisë ngjiten shkallëve edhe të kirurgjisë lëvizin me shkallë”- shprehet Kardiologu për Gazetën Shneta.

Foto:Gazeta Shneta
25.10.2022
Telashet në këtë spital nuk përfundojnë tek ashensori. Në spitalin e Ferizajt në të cilin brenda një viti marrin shërbime shëndetesore mijëra qytetarë ka mungesë edhe të reparteve.
Spitali nuk ka repart të Gjinekologjisë, Kardiologjisë, të Infektivës, Pulmologjisë apo të mushkrive, Neonatologjisë, Mjekësisë Intensive dhe Gjysëm Intensive dhe Njësisë Nukleare.
Sallahu, i cili tash e më tepër se një muaj e ka marrë mandatin si UD drejtor në këtë spital, repartin e kardiologjisë e sheh të domosdoshëm për pacientët e kësaj ane, pasi që sipas tij, ka fluks të lartë të pacientëve me sëmundje kardiake.
Mungesa e reparteve detyron personelin që pacientët t’i shtrijnë nëpër dhomat e reparteve tjera.
“Një prej mungesave më të theksuara të spitalit është mungesa e kardiologjisë, spitali nuk ka fare repart për kardiologji. Pacientët e kardiologjisë i shtrijm në repart të internos me pacientë të gastros, pulmologjisë, reumatologjisë të gjithë bashkë. Spitali i Ferizajt duhet të ketë repart të pulmologjisë që funksionon 24 orë shtatë ditë në javë. Është nevojë imediate”- tregon po ashtu kardiologu.
Mungesa e personelit – listat e pritjes
Mungesa e mantelbaardhëve nëpër spitale e klinika është njëra ndër aryset kryesore që listat e pritjes rriten në vazhdimsi.
Listat e gjata të pritjes për ndërhyrje kirurgjike apo për të kryer ndonjë shërbim tjetër ndikojnë negativisht tek pacientët.
Listë të pritjes ka edhe Spitalit Regjional në Ferizaj.
Sipas UD drejtorit, për ndërhyrje kirurgjike pacientët duhet të presin dy deri në tre muaj. Përveç kirurgjisë, pacientët të cilët kanë nevojë për CT apo Tomografi të Kopjuterizuar duhet të presin deri në dy muaj.
Sallahu thotë se mungesa e personelit e hapësirës është shkaktari kryesor për rritje të listës së pritjes.
“Çdo listë ka me u zgjatë, për shkak të numrit të kufizuar të personelit. Përveç kësaj e kemi hapësirën shumë të kufizuar. Kur të mbledhen të gjitha gjërat të gjitha shkojnë në disfavor të pacientëve. Orientimi ynë është të zgjerohet hapësira të kalojmë në spitalin e ri, të zgjerojmë stafin me i trajnu personelin”- tregon kardiologu, ndërsa shton se për shkak të pandemisë COVID-19 personeli shëndetësor tash e dy vite nuk ka mbajtur trajnime.
Spitali Rajonal aktualisht ka tre kirurgë dhe tre radiologë, për të cilët Sallahu thotë se janë të pamjaftueshëm dhe se një situatë e tillë është duke ua vështirsuar mjekëv edhe mbajtjen e kujdestarive.
“Mungesë të personelit kemi edhe në repartet tjera” – shton gjithashtu.
Në anën tjetër, Projekti për ndërtimin e Spitalit Rajonal në Ferizaj pati filluar që nga viti 2013 por vetëm pas pesë viteve do t’i vihej gurthemeli, në vitin 2018 për të mos u finalizuar në vitin 2021, ashtu siç parashihej.
Punimet u ndalën në gjysmë, rreth dy vite më parë, me arsyetimin e mungesë së fondeve. – sipas planit punimet e objektit të ri pritej të finalizoheshin në vitin 2021 por një gjë e tillë nuk ndodhi as gjatë këtij viti.
Në buxhetin për shëndetësi Qeveria nuk ka ndarë fond të veçantë për ndërtimin e Spitalit të ri në Ferizaj mirëpo janë bartur 1,1 milion euro nga buxheti i ndarë në vitin 2021 ndërsa për ndërtimin e spitalit Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë 10 milion e 235 mijë euro me kompaninë “Arbëria Com”.
Në maj të këtij viti, lifti në Klinikën e Ortopedisë ishte dëmtuar dhe si pasojë e kësaj familjarët janë detyruar të bartin fëmijët e tyre me batanije përmes shkallëve të klinikës. /Gazeta Shneta/
Lifti i prishur në Ortopedi ende nuk është rregulluar përfundimisht




