Abdurrahman Zogaj specialist i ORL-së, tre gjinekologë – dy prej tyre përfundimisht kanë dhënë dorëheqje Naser Berisha dhe Memli Morina, kurse Ilir Azizi është në rrugë për ta lënë pasi ka marr pushim pa pagesë prej 6 muajsh.
Lajmin për ikjen nga sektori publik në atë privat Zogaj dhe Berisha e kanë konfirmuar për Gazetën Shneta. Zogaj tha se nuk ka arritur t’i mbajë dy punët, në publik dhe në privat, për këtë arsye ka vendosur të vazhdoj kontributin e tij vetëm në sektorin privat.
“E kam lëshu punën në spital të shtetit. Para një muaji e kam lënë punën kam qenë në pushim vjetor prej nesër filloj në sektorin privat. Nuk kam mujt me i kry punët edhe në sektor publik edhe në privat ndërsa tani do të fokusohem vetëm në privat”- tha ai për Gazetën Shneta.
Që nga korriku i këtij viti gjinekologu, Berisha, është duke punuar në sektorin privat.
“Po. E kam lëshu punën në QKUK. Në fund të korrikut e kam lënë. Arsyet janë personale. Tash do të punoj në privat”- tregoi ai.
Gjinekologu tjetër, Ilir Azizi është në pushim pa pagesë. Ai nuk tregoi nëse do ta lëshoj punën në QKUK për të vazhduar vetëm në privat.
“Jam në pushim pa pagesë”, tha shkrutimisht ai për Gazetën Shneta.
Sipas burimeve të Gazetës Shneta, punën si gjinekolog në QKUK e ka lëshuar edhe Memli Morina, por i njejti nuk i është përgjigjur telefonatave të Gazetës.
Kushtet e rënda të punës, pagë ofenduese – siç e quajnë mantelbardhët, kanë detyruar personelin shëndetësore të sektorit publike të vazhdojnë punën vetëm në sektorin privat e në anën tjetër Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është duke shkuar drejt kolapsit sidomos në lëminë e anesteziologjisë, si pasojë e mungesës së personelit shëndetësorë.
Në shumicën e klinikave dhe spitaleve rajonale një infermier përkujdeset për më tepër se 20 pacientë, anesteziologët janë në “zhdukje” e në situatë të ngjashme janë edhe personeli tjetër shëndetësore.
Gjatë këtij viti rreth 20 specialistë e kanë lëshuar punën në ShSKUK për t’u transferuar në atë privat – për të cilat ka raportuar Gazeta Shneta, e me dhjetra të tjerë janë në shqyrtim të vendimit për të ikur në privat.
Mungesa e anesteziologëve shumë shpesh është arsyeja që nuk mund të kryehet disa operime në QKUK. /Gazeta Shneta/
Ikja e mjekëve nga sektori publik në privat – dështim për shtetin




