Institucionet shëndetësore publike rrezikohen të mbyllen në rast se personeli shëndetësorë vazhdon të largohet nga sektori publik për në atë privat.
Mjekët të cilët mendojnë të zhvillojnë karrierën e tyre brenda kufijve të Kosovës i’a kanë mësyer sektorit privat duke braktisuar atë publik.
Kushtet e rënda të punës, pagë ofenduese – siç e quajnë mantelbardhët, kanë detyruar personelin shëndetësore të sektorit publike të vazhdojnë punën vetëm në sektorin privat e në anën tjetër Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është në kolaps, si pasojë e mungesës së personelit shëndetësorë.
Në shumicën e klinikave dhe spitaleve rajonale një infermier përkujdeset për më tepër se 20 pacientë, anesteziologët janë në “zhdukje” e në situatë të ngjashme janë edhe personeli tjetër shëndetësore.
Gjatë këtij viti rreth 20 specialistë e kanë lëshuar punën në ShSKUK për t’u transferuar në atë privat – për të cilat ka raportuar Gazeta Shneta, e me dhjetra të tjerë janë në shqyrtim të vendimit për të ikur në privat.
Si pasojë e mungesës së personelit disa klinika, spitale e qendra mjekësore familjare nuk mund të ofrojnë shërbime të kujdestarisë.
Pandemia COVID-19 pati detyruar sektorin publik të ndërprejë ofrimin e shumë shërbimeve shëndetësore të rregullta kështu duke detyruar pacientët të kërkojnë ndihmë shëndetësore në sektorin privat.
Një situatë e tillë ka bërë që të “lëviz orteku”, sipas anëtarit të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve – PRAK, Muhamedali Kodra.
“Fokusimi në trajtimin e COVID-19 dhe ndërprerja e ofrimit të shërbimeve të tjera ka prodhuar pasoja me efekte afatshkurtëra dhe afatgjata. Pasojë e këtij menaxhimi joadekuat me efekt të shpejtë është fakti që psh: në vitin 2020 përveç se kemi rritje të vdekshmërisë, kjo vdekshmëri më shumë i atribuohet mosofrimit të shërbimeve se sa vdekshmërisë nga COVID-19”, vlerëson Kodra në një prononcim për Gazetën Shneta.
Ai thotë se sipas të dhënave që posedon kërkesa e pacientëve për trajtim në sektorin privat gjatë periudhës së pandemisë është katërfishuar, “një rritje e këtillë e kërkesave e ka rritur nevojën për staf shëndetësor dhe rrjedhimisht edhe i ka rritur fitimet për personel. Kjo gjendje i ka motivuar dhe po i inkurajon mjekët që të lëvizin nga sektori publik në atë privat. Në fakt, kjo e ka nxitë nisjen e ortekut që sa po vie e rritet”.
“Mjekët jo vetëm që po injorohen nga Qeveria, por edhe po trajtohen si me qenë ata abuzues e jo ofrues të shërbimeve shëndetësore”, pohon deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Sipas tij detyrimi i mjekëve për të deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion është ofendim për mjekët.
“Qasja e Qeverisë Kurti ndaj mjekëve është ofendues, duke i detyron qe te deklarojnë pasurin si me qenë ata abuzuesit e sistemit shëndetësor dhe jo ofruesit kryesor të shërbimeve shëndetësore”, ndërsa shton se keqpërdoruesit dhe keqmenaxhuesit qeveria në pushtet po i emrin në Bordin e ShSKUK-së.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenje Sociale, thekson se mospërmirësimi i kushteve, paga e ulët janë vetëm disa nga arsyet që mjekët janë duke u larguar nga sektori publik apo edhe jashtë vendit.
Gjatë vitit 2021 Zyra Kombëtare e Auditimit pati gjetur se mbi 12 milion euro janë keqpërdorur në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, për të cilat Haxhiu thotë se qeveria në pushtet nuk ka dhënë përgjegjësi.
Cila është zgjidhja?
2,7 miliardë euro janë ndarë për shëndetësin nga Qeveria e Kosovës për vitin 2022.
Sipas anëtarit të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Muhamedali Kodra, buxheti për shëndetësi duhet të dyfishohet.
“Me 3% të BPV shpenzime publike në shëndetësi, nuk mund të kesh shëndetësi të dinjitetshme. Urgjentisht duhet të dyfishohet buxheti për shëndetësi, por së paku 5% të BPV. Por, rritja e buxhetit në një organizim të këtillë, do të ishte i kotë”, shprehet Kodra.
Ai vlerëson se pagesa për personelin shëndetësorë duhet të bëhet në bazë të performancës, ndërsa lutja e mjekëve për të mos ikur nga sektori publik nuk mjafton.
“Urgjent duhet të fillohet me zbatimin e reformës, bartjen e buxhetit në Fond dhe fillimin e blerjes së shërbimeve, gjegjësisht fillimin e pagesës sipas performances”, shprehet ai, përderisa thekson se pa vullnetin e qeverisë një gjë e tillë nuk bëhet.
Ndërsa deputeti Haxhiut, thotë se Qeveria në pushtet duhet në mënyrë urgjente të prezantoj strategjinë për ndaljen e ikjes së trurire në shëndetësin publike. /Gazeta Shneta/
Edhe dy anesteziologe e lënë punën në QKUK, dy të tjerë pritet të pensionohen