Ish deputeti Gani Geci dje ka ngritur akuza për papastërti në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare.
Sipas Gecit nipi i tij, djali i deputetës Marigona Gecit, është infektuar me virusin Rotavirus – virus i cili shkaktohet nga papastërtia. Gjithashtu në videon e Gecit janë parë edhe shtretër të dëmtuar të cilët disa janë të blerë nga QKUK e disa të tjerë janë donacion.
Një ditë pas shpërndarjes së videos dhe reagimit të ish- deputetit, ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar.
ShSKUK sqaron se Reparti i Lehonave është duke u rinovuar dhe në atë pjesë nuk ka asnjë paciente të shtrirë.
“Klinika Obstetrike Gjinekologjike ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë shërbime shëndetësore për të gjithë pacientet që kanë nevojë të marrin shërbimet e nevojshme”, thuhet po ashtu në reagim.
“Klinika kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, ngase rinovimi po bëhet me qëllim të ofrimit të kushteve më të mira për nëna dhe lehona”, thuhet tutje./Gazeta Shneta/




