Reshjet atmosferike kanë depërtuar në Sallën Operative në Klinikën e Oftalmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas burimeve të Gazetës Shneta, shiu ka depërtuar 10 minuta pas përfundimit të operimit të fundit për ditën e sotme, kështu duke bërë të ditur se operimet nuk janë pezulluar.
Raportuesi gjithashtu thotë se dyshohet që është bllokuar kanalizimin në pjesën e sipërme të Klinikës dhe se pas depërtimit të ujit shërbimet teknike e kanë pastruar vendin.
Gazeta po ashtu merr vesh se, deri më tani, shiu nuk ka shkaktuar dëme shumë të mëdha dhe nesër pritet të kryhen operimet me rregull, ashtu siç janë paraparë, pasi që nuk ka dëmtuar asnjë aparaturë apo diçka tjetër që do e pezullonte ofrimin e shërbimeve në bllokun operativ.
Gazeta Shneta ka arritur të siguroj një fotografi, përmes së cilave shihet se shiu ka depërtuar nga Salla Operative në koridorin e klinikës.
Klinikat janë pothuajse çdo herë të rrezikuara nga reshjet e shiut, kujtojmë se muaj më parë në Klinikën e Onkologjisë si pasojë e shiut ishin dëmtuar disa aparatura dhe si pasojë ishte pezulluar ofrimi i të gjitha shërbimeve për radioterapi. Situatë e njejtë ka qenë edhe në Pulmologji e në Laboratorin e Pediatrisë. /Gazeta Shneta/
Pacientëve me radioterapi u ndërpriten shërbimet në Onkologji