Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar shkarkimin nga detyra të komandantit të Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinani, një rreshter dhe dy hetues policorë, në rastin e 35 vjeçares, e cila mbeti e vrarë nga i dyshuari Sokol Halili. I njëjti dje ia mori jetën vetes për të mos u dorëzuar tek Policia.
Sipas IPK-së, të lartëcekurit kërkohet të suspendohen pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, shkruan Reporteri.net.
“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”. Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M. Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “.Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues) .Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë.
Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë it me Prokurorinë e Shtetit.




