Një studim i fundit ka nxjerrë në pah ndikimin e suplementeve të vajit të peshkut në rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Në një hulumtim që ka monitoruar mbi 400,000 qytetarë për 12 vite, studiuesit nga Kinia, SHBA, MB, dhe Danimarka kanë arritur në disa zbulime interesante.
Për personat që nuk kishin sëmundje kardiovaskulare, përdorimi i rregullt i suplementeve të vajit të peshkut ka treguar një rritje të rrezikut për zhvillimin e fibrilacionit atrial dhe goditjen në tru. Megjithatë, për ata që kishin sëmundje të zemrës, suplementet e vajit të peshkut kanë treguar një ulje të rrezikut për përparimin e sëmundjeve të zemrës dhe për vdekjen, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Dietologja Tracy Parker ka theksuar se ky studim nuk duhet të shqetësojë ata që marrin rregullisht suplemente të vajit të peshkut, por gjithashtu nuk duhet të jetë një shtysë për të filluar marrjen e tyre për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut.
Ajo bën të qartë se suplementet nuk zëvendësojnë një dietë të shëndetshme dhe tradicionale mesdhetare, e cila është e njohur për zvogëlimin e rrezikut të sulmit në zemër ose goditjes në tru. Kjo dietë përfshin më shumë peshk, më pak mish të kuq, dhe një gamë të gjërë frutash, perimesh, dhe drithërash integrale.
Këto rezultate sjellin një përspektivë të re mbi rolin e suplementeve të vajit të peshkut në shëndetin e zemrës, duke theksuar se konsiderimi i tyre duhet të bëhet në kontekstin e një diete tërësore dhe të shëndetshme./Gazeta Shneta/


