Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Mjeku i Javës – Dr. Edmond Haliti: Aritmia e zemrës, sa e rrezikshme është për jetën, shkaktarët dhe simptomat

Mjeku i javës 02/09/2024
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Këtë javë në rubrikën “Mjeku i Javës”, Dr. Edmond Haliti, specialist internist – kardiolog, flet më shumë në lidhje me atë se sa është e rrezikshme aritmia e zemrës, cilët janë shkaktarët kryesor dhe mënya e trajtimit.

Aritmia është një çrregullim i ritmit të rrahjeve të zemrës. Gjatë aritmisë, zemra mund të rrahë shumë shpejt, shumë ngadalë ose me një ritëm të çrregullt.

Çrregullimi i ritmit të zemrës që në terminologjinë mjekësore njihet si aritmi ose dizritmi, është një gjendje klinike të cilën pothuajse çdo person mund ta përjetoj gjatë jetës, qoftë si gjendje patologjike (sëmundje), por ndonjëherë si gjendje fiziologjike edhe te personat e shëndoshë.

• Sa e rrezikshme është aritmia e zemrës?

– Termi aritmi përfshinë një spektër të gjerë çrregullimesh nga takikardia ose bradikardia sinusale, që konsiderohen si më të lehtat e më të zakonshmet në mesin e tyre (madje ndonjëhere fiziologjike), deri te rrahjet shumë të shpejta të zemrës si takikarditë paroksizmale supraventrikulare, rrahjet krejtësisht të çrregullta të zemrës si flateri e fibrilacioni atrial, rrahjet e parakohshme (kapërcyese) të zemrës që njihen me termin mjekësor aritmi ekstrasistolike, e deri te llojet më serioze e potencialisht vdekjeprurëse të aritmive, sikurse janë takikardia e fibrilacioni ventrikular. Po ashtu, në grupin e aritmive në kuptim të gjerë të fjalës, mund të përfshihen edhe çrregullime e përçimit, të cilat karakterizohen kryesisht me pengesa ose vështirësi në gjenerimin ose pëhapjen e impulsit elektrik të zemrës, e domosdoshme kjo për mirë-funksionimin jo vetëm elektrik por edhe hemodinamik (pompues) të zemrës.

Mjekët përdorin klasifikime të ndryshme praktike në rastet e aritmive duke i quajtur aritmi supraventrikulare ato që origjinën e marrin nga parabarkushet (atriumet) dhe zonat rreth nyjes atrioventrilulare, ndërsa ventrikulare kur marrin origjinë nga vet barkushet e zemrës (ventrikujt); tutje kur aritmia karakterizohet me numër të lartë rrahjesh njihet si taki-aritmi (zakonisht >100 rrahje për minutë), ndërsa kur ka numër të ultë rrahjesh ajo quhet bradi-aritmi (zakonisht <55 rrahje për minutë).

• Cilët janë shkaktarët apo faktorët kryesor të rrezikut?

– Kur është fjala për takikardinë e bradikardinë e rregullt sinusale, apo aritminë sinusale të lidhur me frymëshkëmbimin, shkaktarë mund të jenë edhe rrethana krejtësisht fiziologjike, gjegjësish te personat e shëndoshë; pa përjashtuar mundësinë e të qenurit manifestime të sëmundjeve të ndryshme të zemrës apo edhe jashtë zemrës (psh sëmundjet e gjëndrës tiroide, sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes, infeksionet e ndryshme, pagjaksia, sëmundjet metabolike, sëmundje neurologjike ose efekt i veprimit të barnave, subastancave e toksinave të ndryshme). Megjithatë, gjatë ecurisë së tyre klinike shumica e sëmundjeve akute dhe kronike të zemrës manifestojnë çrregullime ritmi ose përçimi nga më të ndryshmet; në mesin e këtyre sëmundjeve janë sëmundja e arterieve koronare e manifestaur me infarkti akut të miokardit ose format e tjera klinike të saj si angina pektorale ose pamjaftueshmëria ne zemrës, sëmundjet e muskulit të zemrës (miokaditet), kardiomiopatitë e ndryshme të lindura ose të fituara, pastaj sëmundjet valvulare e ato të lindura të zemrës, etj.

• Simptomat e para te aritmise se zemres?

– Spektri i manifestimeve klinike është mjaft i gjërë, nga format krejt diskrete ose pa asnjë simptomë klinike, ku aritmia diagnostikohet gjatë një ekzaminimi mjekësor rutinor ose të kërkuar për një qëllim apo dyshim tjetër, deri te shfaqja e tyre në mënyrën më dramatike siç është arresti kardiak (ndalimi i aktivitetit pompues të zemrës) ose vdekja e papritur. Padyshim, shumica e pacientëve me aritmi ankojnë për ndjenjë subjektive të rrahjeve të shpejta, të crregullta ose jonormale të zemrës (palpitacione), marramendje, lodhje të përgjithshme e frymëzënie, ulje të kapaciteti ushtrimor, errësim të përkohsëm të pamjes ose gjendje të fiktit (sinkopë). Disa aritmi mund të manifestohen vetëm pas zhvillimit të komplikimeve të tyre si psh fibrilacioni atrial si një nga aritmitë më të shpeshta mund të manifestohet me shenjat neurologjike të një sulmi në tru, ose të pengesave në qarkullimin periferik arterial, e gjithv kjo si pasojë e një drocke gjaku të formuar në zemër e të përcjellur më tej drejt një arterie periferike (emboli arteriale).

• Si mund të parandalohet aritmia?

– Nuk është se ka ndonjë masë ose metodë që do të parandalonte në mënyrë direkte aritminë, por gjithesesi ato mund të parandolohen në mënyrë të tërthortë, duke parandaluar rrethanat dhe duke trajtuar me kohë dhe me në mënyrë të drejtë sëmundje e ndryshme të zemrës ose sistemeve të tjera jashtë zemrës, që sikurse theksova më lartë mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë aritminë. Po ashtu ushqyerja e mirë, aktivitet i rregullt dhe i moderuar fizik, mbrojtja karshi infeksioneve, e mirëmbajtja e balancit të ujit dhe elektrolitëve në organizëm, do të parandaloj shfaqjen ose precipitimin e një aritmie.

• Si bëhet diagnostikimi i sëmundjes?

– Para një pacienti që prezenton me çrregullime ritmi ose përçimi, është i domosdoshëm një vlerësim i detajuar i ritmit, i dokumentuar ky me elektrokardiogramën standarte (EKG) për ta vendosur një diagnozë të saktë; kjo shpesh është relativisht e lehtë sepse nga një profesionist i fushës, thjeshtë me një EKG si një metodë e vjetër por mjaft efikase mund ta diagnostikojmë problemin; por ndodh që aritmia është kalimtare dhe jo gjihtnjë është prezente në momentin kur ne bëjmë regjistrimin e EKG-së, duke e vështirësuar vendosjen e diagnozës. Në këto raste nevojiten regjistrime të shpesha të EKG-ve, mundësisht gjatë kohës kur pacienti ka simptoma klinike, ose regjistrime aumatomatike afatgjate ambulatore të EKG-së me pajisjet e njohura si holter EKG ose telemetri, përdorimi i aplikacioneve të ndryshme të tekonologjisë së avancuar (si smart watch, implantable loop recorders), e deri edhe metodat invazive diagnostike përmes futjes së kateterëve special në zemër për të regjistruar aktivitetin elektrik të zemrës (i ashtuquajturi studimi elektrofiziologjik).

• Si bëhet trajtimi i aritmisë?

– Ekzistojnë mënyra të ndryshme të trajtimit të aritmive në varësi nga lloji, origjina, sëmundja ose rrethana shkaktare e tyre. Psh disa aritmi supraventrikulare mund të menaxhohen me aplikimin e manovrave të thjeshta vagale (si mbajtja e frymës për disa sekonda, vetshypja e dy kokërdhokujve të syve, apo edhe shtypja masazhuese e lehtë glomusit karotid në qafë), më tutje mund të përdoren barna të ndryshme antiaritmike, e në rastin e aritmive ventrikulare ose supraventrikulare që zgjasin dhe kanë tendencë të përkeqësimit të funksionit pompues të zemrës mund të kërkohet goditja direkte elektrike në zemër me defibrilator. Për trajtimin e crregullimeve te percimit e bradiaritmive mund të implantohet hapëshënuesi (pacemaker) i përkohshëm ose i përhershëm artificial, ndërsa për disa aritmi komplekse dhe rezistente në mjekim mund të jetë i nevojshëm implantimi i defibrilatorëve të implantueshëm ose ablacioni (djegia) i vatrës aritmogjene me radiofrekuencë ose energji të tjera si psh krioablacioni (ngrirja) e PFA (pulse field ablation).

• Sa shpesh ka raste të tilla në vendin tonë dhe a kemi kushte adekuate për trajtimin e këtyre rasteve?

– Në dijeninë time, nuk është se posedojmë me të dhëna konkrete statistikore për këto sëmundje në nivel vendi. Por, bazuar nga përvoja jonë klinike dhe prezentimet e ndryshme shkencore në konferencat vendore e ndërkombëtare të kardiologjisë që ne ndjekim vahzidmisht, lehtësisht kuptohet se sikurse edhe në të gjitha vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, ka një tendencë rritje të numrit të pacientëve të prekur nga aritmitë, e lidhur kjo pashmangshëm me shtimin e faktorëve të rrezikut kardiovaskular, rritjen e jetëgjatësisë mesatare të popullatës, por dhe zbulimin (diagnostikimin) e më shumë aritmive me metoda më të sofistikuara diagnostike të disponueshme tashmë edhe në vendin tonë, duke filluar nga EKG-ja si metodë bazike deri te regjistrimet afatgjate të ritmit me holter-monitorim, telemetri, me orët e mencura (smart watch), e së fundi edhe me studim elektrofiziologjik. Paralelisht me rritjen dhe zbulimin në kohë të aritmive, domosdo edhe në vendin tonë janë përditësuar protkolet e mjekimit të këtyre sëmundjeve, duke vënë në dispozicion të pacientëve të tillë në varësi nga indikacioni, të gjitha masat mjekuese që rekomandon Shoqata Evropiane e Kardiologjisë, duke filluar nga barnat e ndryshme antiaritmike,deri te implantimet e pajsijeve të ndryshme elektrike të implantueshme në zemrës sikurse pacemker-i, ICD-të, CRT-të dhe ablacioni.

• Këshilla juaj për një zemër të shëndetshme?

– Zbulimi me kohë dhe menaxhimi dhe mjekimi adekuat i faktorëve të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare si hipertensioni, sëmundja e sheqerit, yndyra e rritur në gjak; mbipesha, etj; praktikimi i mëyrës së shëndetshme të jetës duke përfshirë aktivitetin e rregullt e të moderuar fizik dhe dietën e shëndetshme e të balancuar, menaxhimi i stresit dhe eleminimi i shprehive të dëmshme si duhanpirja, abuzimi me alkool, narkotikë ose substanca tjera stimuluese (si kofeina, teofilina e taurina). /Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakVaksinimi i poliomielitit fillon në Gaza pas rastit të parë në 25 vjet
Artikulli i rradhës Fjetja në fundjavë mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, zbulon studimi

Ju sugjerojmë

Infektologia Kurteshi: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e infeksioneve, higjiena mbetet mbrojtja më e mirë

21/07/2026 Lajme

Mjeku i Javës – Dr. Valon Hamza: Si ndikojnë temperaturat e larta në sistemin tretës

16/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Ramadan Halimi: Kur ankthi maskohet si sëmundje – simptomat që ngatërrojnë pacientët

06/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

29/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.