Sëmundja Alzheimer është forma më e shpeshtë e demencave, thotë neurologu kosovar, Argjend Shala.
Demenca është sëmundje e cila karakterizohet nga humbja graduale progresive e kujtesës si dhe dëmtimi i një apo më shumë funksioneve tjera njohëse (të folurit, gjykimit, njohjës, veprimit, funksioneve ekzekutive etj).
Në një intervistë për ‘Gazetën Shneta’, Shala tregon se simptoma më e hershme është një fillim i fshehtë, por progresiv i dobësimit të kujtesës, harresë për emra, numra, takime, vendndodhjen e gjësendeve etjerë, me theks për ngjarje të reja.
Sipas neurologut, insultet cerebrovaskulare, hipertensioni arterial, diabeti, konsumimi i duhanit, konsumimi i lartë i yndyrave, traumat e kokës, niveli i lartë i homocisteinës niveli i ulët i vitaminës B12, çrregullimet hormonale; të gjitha këto mund të konsiderohen faktorë rreziku për shfaqjen e sëmundjes Alzheimer.
Mënyrat e trajtimit të sëmundjes sipas Shalës, jane terapia farmakologjike përfshinë medikamentet e ndryshme (inhibitorët e kolinesterazës, antagonistët e receptorëve NMDA, vitaminat, hormonet zëvendësuese te gratë në menopauzë). Pastaj, janë të rëndësishme ushtrimet fizike, ushtrimet psiqike (loja e shahut, domino, fjalëkryçi, leximi etj.), ecja, shëtitja, ushqimet e pasura me vitamina dhe folate etj.
“Përgjithësisht shfaqet pas moshës 60 vjeçare. Besohet që shkaku i sëmundjes Alzhemier është kompleks, ndërveprim i faktorëve gjenetik dhe ambiental. Janë të njohura 4 gjene mutante që ndikojnë në shfaqjen e saj. Përllogaritet që familjarët e një individi të sëmurë në rastet sporadike ose familjare kanë një rrezik 2-4 herë më të lartë për sëmundjen Alzheimer, krahasuar me rrezikun e popullatës në përgjithësi”, thotë Shala.
Sa i përket numrit të të prekurve në vend me këtë sëmundje, neurologu thotë se nuk kanë shifra të sakta.
“Nuk disponojmë shifra konkrete për numrin e pacientëve me sëmundjen Alzheimer në Kosovë, por siç dihet nga epidemiologjia e sëmundjes, prevalenca e sëmundjes te personat mbi 60 vjeç është 5%, e cila përqindje, në mënyrë eksponenciale rritet deri 85% te personat mbi 85 vjeç”, u shpreh Shala.
Ai thotë se vetëdija e qytetarëve në vend po rritet çdo herë e më shumë sa i përket Alzheimer, por për shëndetin në përgjithësi.
Shala shprehet se Kosova ka kuadro të mjaftueshme profesionale për diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve me këtë sëmundje.
Në lidhje me atë se çfarë duhet të bëhet nga institucionet shëndetësore në lidhje me trajtimin e personave me Alzheimer, neurologu thotë se institucionet sociale duhet të shohin mundësitë dhe mekanizmat për ndihmën që mund t’u ofrojnë këtyre pacientëve dhe familjeve të tyre dhe të shtohen kapacitetet diagnostikuese
“Meqënëse, këta pacient me përparimin e sëmundjes mund ta humbin pavarësinë funksionale, kjo do të thotë që bëhen barrë për përkujdesje për familjet e tyre. Kësisoj, institucionet sociale duhet të shohin mundësitë dhe mekanizmat për ndihmën që mund t’u ofrojnë këtyre pacientëve dhe familjeve të tyre. Poashtu, duhet të shtohen kapacitetet diagnostikuese (fjala është për testimin gjenetik) për përsonat e dyshuar dhe ata që potencialisht mund të preken nga kjo sëmundje”, tha Shala.
Neurologu kosovar në fund tha edhe një mesazh për personat e prekur me Alzheimer.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që njerëzit të njohin simptomat e sëmundjes, faktorët e rrezikut që përmendëm më lartë; poashtu të njohin ndikimet pozitive të aktivitetit fizik, ushtrimeve psiqike, ushqimeve me vitamina dhe folate (që poashtu i cekëm tek trajtimi i sëmundjes), dhe në këtë mënyrë të kenë njohuri bazike se si mund të filloj sëmundja Alzheimer, cilët janë faktorët e rrezikut, çfarë stili të jetës duhet të ndjekin dhe natyrisht të bëjnë vizita mjekësore te profesionisti shëndetësor adekuat, që në këtë rast është neurologu”, përfundoi Shala. \Gazeta Shneta\


