Menopauza, e cila shënon fundin e viteve riprodhuese të një gruaje, mund të shoqërohet me një sërë simptomash, përfshirë afshet e nxehta, djersitjet gjatë natës dhe ndryshimet e humorit.
Jo çdo grua përjeton efekte negative gjatë menopauzës, por për shumë prej tyre, simptomat mund të ndikojnë në cilësinë e jetës shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Tani, një studim ka zbuluar se gratë që përjetojnë më shumë simptoma të menopauzës kanë gjasa të kenë funksion të dobët njohës dhe çrregullime të lehta të sjelljes – të dyja të lidhura me rrezikun e demencës – teksa plaken.
Studiuesit sugjerojnë se terapia hormonale me estrogjen mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre efekteve dhe ndoshta në uljen e rrezikut të demencës.
Menopauza, e cila zakonisht ndodh rreth moshës 52 vjeç, shoqërohet me ndryshime të shumta fizike dhe mendore.
Këto ndryshime, të cilat fillojnë disa vite para menopauzës dhe mund të vazhdojnë për një periudhë pas përfundimit të ciklit menstrual, mund të shkaktojnë një sërë simptomash, përfshirë:
– afshet e nxehta;
– çrregullime të gjumit;
– thatësi vaginale;
– luhatje humori;
– shtim në peshë.
Studimi i publikuar në revistën “PLOS One”, sugjeron se këto shenja të demencës mund të reduktohen përmes terapisë hormonale me estrogjen, e cila përdoret për lehtësimin e simptomave të menopauzës.
Stefania Forner, PhD, drejtoreshë e marrëdhënieve mjekësore dhe shkencore në Shoqatën e Alzheimerit, e cila nuk ishte e përfshirë në këtë studim, komentoi për Medical News Today se:
“Duke qenë se ky është një studim vëzhgues dhe jo i bazuar në popullatën e përgjithshme, dhe të dhënat janë të raportuara vetë nga pjesëmarrëset, duhet treguar kujdes në përgjithësimin e këtyre gjetjeve. Megjithëse mund të ketë një lidhje midis Alzheimerit, demencës, rënies njohëse dhe peri/menopauzës, ende nuk ka prova bindëse për një marrëdhënie shkak-pasojë; nevojiten më shumë studime për të kuptuar më mirë këtë lidhje”. /Gazeta Shneta/


