Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Mjeku i Javës – Kirurgjia e Fëmijëve në Kosovë, Dr. Dëfrim Koçinaj: Sfidat, inovacioni dhe kujdesi i duhur për fëmijët

Mjeku i javës 17/03/2025
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Me një eksperiencë të gjatë që përfshin trajtimin e pacientëve të vegjël dhe përballjen me sfidat e këtij profesioni, doktor Dëfrim Koçinaj – Specialist i Kirurgjisë së Fëmijëve në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK në një intervistë për ‘Gazetën Shneta’ tregon rrugëtimin e tij që ka filluar pas diplomimit në vitin 2002, dhe si ka evoluar në një ekspert të njohur në kirurgjinë pediatrike.

Koçinaj ndan përvojat dhe mësimet e tij më të vlefshme, risitë në këtë fushë, si dhe rëndësinë e një komunikimi të ngushtë dhe të kuptueshëm me prindërit e pacientëve, duke theksuar gjithashtu rolin e teknologjisë moderne në përmirësimin e shërbimeve dhe rezultateve të trajtimeve, duke u fokusuar gjithashtu në përparësitë dhe zhvillimet që mund të kontribuojnë në avancimin e këtij sektori në Kosovë.

– Na përshkruani pak përvojën tuaj dhe arsimimin që ju ka çuar në specializimin e Kirurgjisë së Fëmijëve.

Dr. Koçinaj: Unë kam diplomuar në vitin 2002 dhe fillimisht si çdo mjek i ri, me shumë entuziazëm e kam filluar mbajtjen e stazhit të obligueshëm 6 mujor në spitalin rajonal të Prizrenit. Stazhin e kam filluar në repartin e pediatrisë, shkaku i ndjeshmërisë që kam treguar gjithmonë në raport me fëmijët, por dhe duke qenë i frymëzuar nga daja im i ndjerë, i cili ka qenë një ndër pediatrat e parë në Kosovë.

Por, për një kohë të shkurtër e kuptova që profesioni im i ngushtë do të jetë Kirurgjia e Fëmijëve, një profesion shumë i vështirë, në të njëjtën kohë profesion që neve kirurgave na jep rastin që të përjetojmë shpesh momente kënaqësie, kur arrijmë suksese në trajtim e pacientave tanë të vegjël.

– Cilat janë ato sfida specifike me të cilat përballeni kur trajtoni pacientët fëmijë krahasuar me të rriturit?

Dr. Koçinaj: Është e njohur thënia që “fëmiju nuk është miniaturë e të rriturit”, pra ne duhet të njohim mirë anatominë, por edhe fiziologjinë e organizmit të fëmijut, sepse ata kanë shumë specifika, janë më të brishtë, gjendja e tyre mund të ndryshojë shumë shpejt, në drejtim të përkeqësimit. Por, fëmijët e kanë një të mirë që, procesi i shërimit tek ta mund të jetë më i shpejtë dhe më i mirë, se tek moshat e rritura. Ndjeshmëria dhe preciziteti që ne duhet të tregojmë si kirurga, është çelesi i suksesit. E kjo vjen me durim, me kalimin e kohës dhe me trajnime të vazhdueshme.

– Si ndikon komunikimi me prindërit dhe kujdesi për ta gjatë periudhës që fëmija ka nevojë për kirurgji?

Dr. Koçinaj: Edhe me kartat ndërkombëtare, por edhe me ligjet e Republikës së Kosovës, përgjegjësinë dhe vendimmarrjen në lidhje me intervenimin eventual kirurgjikal të pacientave tanë pediatrik e ka prindi, ose kujdestari ligjor i fëmijut. Prandaj, ne jemi të obliguar që të kemi komunikim të drejtë, të detajuar, që shoqërohet me plotësimin e disa dokumentacioneve të cilat janë obligative të firmosën nga ana e prindit para se ne të procedojmë me ndërhyrjen kirurgjikale përkatëse. Në anën tjetër, ka disa procedura kirurgjikale, ku periudha postoperative ka rol kyç në mbarëvajtjen dhe suksesin e intervenimit, prandaj zbatimi i rekomandimeve nga ana e prindit mbetet tejet i rëndësishëm.

– A ka ndonjë procedurë kirurgjikale që është më e zakonshme në Kirurgjinë e Fëmijëve dhe cilat janë risitë që janë bërë në këtë fushë gjatë viteve?

Dr. Koçinaj: Janë disa procedura kirurgjikal të zakonshme, të cilat realizohen çdo ditë. Ndër to është Appendiciti akut ose “Zorra Qorre”, me një mesatare rreth 500 raste çdo vit. Risia e 5-6 viteve të fundit edhe tek ne është, që një numër i tyre mund të realizohet me kirurgji minimale invazive, apo Laparoskopi. Kjo procedurë, tashmë është standard edhe në Kosovë dhe ka disa përparësi, sepse nuk kemi prerje të murit të barkut, por vetëm 2 apo 3 shpime 3, 5 apo 10mm. Pacienti shpejt e merr vetën dhe shumë shpejt mund ti kthehet aktiviteteve të tij të përditshme, siç është shkolla, apo edhe aktivitetet e tjera jashtëshkollore.

Procedurë tjetër shumë e zakonshme në praktikën tonë të përditshme është dhe Hernia inguinale, apo “shembja ose bruhi” sic njihet në popull. Kjo procedurë futet tek procedurat e ashtuquajtura “kirurgji ditore”, ku pacienti nuk qëndron në spital, por disa orë pas intervenimit lirohet në shtëpi. Tek rastet e ngecjes së testisit, kur ai nuk zbret në qesën skrotale, por mbetet në hapësirën e barkut, Laparoskopia është metoda e zgjedhur. Poashtu, kjo procedurë realizohet edhe tek ne në Kosovë.

– Si e vlerësoni rëndësinë e diagnostikës së hershme në kirurgjinë e fëmijëve dhe si mund të ndikojë kjo në rezultatet afatgjata të pacientëve?

Dr. Koçinaj: Si në rastin e çdo sëmundjeje, edhe tek sëmundjet kirurgjikale të moshës pediatrike, parandalimi është shumë më i lehtë dhe më i lirë se mjekimi. Kjo duhet të jetë motoja e secilit nga ne që ofrojmë shërbime shëndetësore dhe kjo sidomos duhet të vlejë për institucionet bartëse dhe përgjegjëse për organizimin e shëndetësise, si në nivel primar, sekondar, ashtu edhe në atë terciar, siç është QKUK.

Specifikisht ka shumë sëmundje të cilat nëse mjekohen në kohën e duhur, numri i komplikimeve i afrohet zeros. Po e ilustroj me një shembull: nëse pacienti ka shenja dhe simptoma të Appendicitit akut dhe nëse referohet në kohë drejt kirurgut pediatrik, trajtimi i tij do të jetë më i lehtë dhe ditëqëndrimi në spital do të jetë shumë i shkurtër, maksimalisht 2 ditë. Dhe në të kundërtën, nëse një pacient i tillë vie me vonesë, në gjendje të rëndë, kur “Zorra Qorre” ka pëlcitur, trajtimi kirurgjikal do të jetë shumë më i rëndë, ditëqëndrimi në spital shpesh i kalon 7 ditë dhe mundësia për të zhvilluar komplikime serioze është shumë e madhe.

– Çfarë mund të bëjnë prindërit për të siguruar që fëmijët të kenë një përkujdesje të mirë pas operacionit?

Dr. Koçinaj: Sot në kohën e internetit, kur informacionet janë të bollshme, edhe për neve mjekëve është më e lehtë që ti ndajmë ato me prindërit, të cilët fatmirësisht në ditët e sotme janë mirë të informuar dhe shpesh parashtrojnë pyetje të duhura.

Prindërit, duhet të vazhdojnë me këtë trend në rritje të marrjes së informacionit, por një këshillë tepër të vlefshme e kam për ta, ata duhet ti besojnë profesionistave, sepse “Dr Google” ndonjëherë mund ti ç’orientojë dhe të marrin hapa jo të duhur, kur fëmiju i tyre është me probleme shëndetësore. Kjo gjë nuk ndodh vetëm tek ne, është fenomen që po haset edhe në shtetet e zhvilluara.

– Në çfarë mënyre përdorni teknologjinë moderne për të përmirësuar rezultatet e trajtimit dhe operacioneve kirurgjikale për fëmijët?

Dr. Koçinaj: Përdorimi i teknologjisë ka ndryshuar shumë çasjen e trajtimit kirurgjikal në botë, ku tashmë afër 4 dekada që edhe robotika ka gjetur vend. Poashtu përdorimi i laserave të ndryshëm, në trajtimin e nishaneve, në thyerjen e gurëve të traktit urinar, në operacione shumë delikate në tru, etj. Edhe tek ne, përdorimi i pajisjeve të avancuara gradualisht e ka zënë vendin e vet, duke na mundësuar çasje më të shpejtë dhe më të lehtë, me synim që përfitimet të jenë të mëdha për pacientat tanë. Në Kirurgjinë tonë Pediatrike, mund të përmend, laparoskopinë, endourologjinë, laserin litotrop (për thyerjen e gurëve të traktit urinar) dhe së fundmi endoskopinë e traktit gastrointestinal (të traktit tretës).

– Si janë zhvilluar metodat e trajtimit të kirurgjisë së fëmijëve në lidhje me menaxhimin e dhimbjes dhe rikuperimin post-operativ?

Dr. Koçinaj: Përveç terapisë konvencionale me barna siç janë antiinflamatoret josteroid dhe opioidet, në praktikën tonë nga ana e anesteziologëve tanë që kanë ekspertizë të lartë në anestezionin pediatrik, gjen përdorim dhe bllok anestezionit, ku mund të përmendim bllokun kaudal dhe atë penil. Këto janë metoda të cilat bllokojnë degë të caktuara të nervave, duke ulur dhimbjen gjatë intervenimit, por edhe 24 orët e para pas intervenimit në masën pranë zeros.

– Përballja me raste urgjente, si menaxhoni situatat ku është e nevojshme të ndërhyni menjëherë në kirurgji?

Dr. Koçinaj: Në praktikën tonë të përditshme, shpesh kemi raste urgjente, të cilët kërkojnë intervenim të shpejtë kirurgjikal, brenda 24 orëve pas pranimit në spital, e në rastet emergjente, siç janë traumat, ndonjehëre edhe brenda pak minutash, pas pranimit. Zakonisht këta pacienta referohen nga Shërbimi Primar Shëndetësor, ose nga pediatri dhe nëpërmjet zyrës së pranimit ose Qendrës Emergjente, vijnë në kontakt me kirurgun pediatrik.

Pas ekzaminimit klinik, analizave laboratorike dhe ekzaminimeve radiologjike, ne arrijmë të përcaktojmë diagnozën dhe të marrim vendimin për ndërhyrje të shpejtë kirurgjikale. Pothuaj në të gjitha rastet, pacientat që i nënshtrohen nderhyrjeve kirurgjikale, duhet të futen nën anestezion të përgjithshem, prandaj puna jonë në ekip, duke përfshirë anesteziologët, stafin e mesëm dhe stafin mbështetës, është mëse e nevojshme dhe e domosdoshme.

– Çfarë mund të bëjë shoqëria për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin kirurgjik të fëmijëve dhe për të mbështetur më shumë kërkime dhe zhvillime në këtë fushë?

Dr. Koçinaj: Shoqëria ka rol të veçantë në ngritjen e ndërgjegjësimit të shëndetit kirurgjik të fëmijëve, duke marr rolin e saj, në organizmin e takimeve të grupeve të interesit, siç janë rastet e Shoqatave të ndryshme për sindroma të ndryshme (Sy. Down, Fibroza Cistike, Epilepsia, etj). Por, me më shumë rëndësi janë Institucionet përkatëse ato që duhet të marrin barrën e organizimit, ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe sensibilizimit të çështjeve me rëndësi për shëndetin e popullatës sonë. Këto mund të realizohen me investime të resurse humane dhe infrastrukture, me përpilimin e programeve të veçanta për depistim, me kontrolla sistemike në institucionet parashkollore dhe shkollore, etj.

– Për fund, si e shihni të ardhmen e Kirurgjisë së Fëmijëve në Kosovë?

Dr. Koçinaj: Mund të them që Kirurgjia Pediatrike në Kosovë është shembull i ecjes ndër dekada. Hovin më të mirë e ka patur pas luftës, kur profesorat tanë janë rikthyer në Institucionet Publike dhe ata me punën dhe përkushtimin e tyre kanë nxjerr kuadro të mjaftueshëm dhe mirë të përgaditur. Rrugën e tyre, po besoj që po e ndjekim edhe brezi ynë, duke i ndarë dijet dhe përvojat tona me brezat e rinjë, si me specialistat e rinjë, poashtuedhe mjekët në specializim./Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakLVV kërkon rivotimin me postë
Artikulli i rradhës Tragjedia në Koçan: 135 pacientë po trajtohen në klinikat jashtë dhe brenda vendit, 20 në gjendje kritike

Ju sugjerojmë

Infektologia Kurteshi: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e infeksioneve, higjiena mbetet mbrojtja më e mirë

21/07/2026 Lajme

Mjeku i Javës – Dr. Valon Hamza: Si ndikojnë temperaturat e larta në sistemin tretës

16/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Ramadan Halimi: Kur ankthi maskohet si sëmundje – simptomat që ngatërrojnë pacientët

06/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

29/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.