Trajtimi i anemisë gjatë shtatzënisë mund të ulë rrezikun për defekte të zemrës te të porsalindurit, zbulon një studim i ri.
Gratë me anemi në fillim të shtatzënisë kanë një rrezik 47% më të lartë për të lindur një fëmijë me defekt në zemër, raportuan studiuesit më 23 prill në revistën “BJOG: An International Journal of Obstetrics & Gynecology”, raporton Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Ne tashmë e dimë që rreziku për sëmundje kongjenitale të zemrës mund të rritet nga një sërë faktorësh, por këto rezultate thellojnë kuptimin tonë për aneminë në mënyrë specifike, duke e çuar nga studimet laboratorike në praktikën klinike,” tha studiuesi kryesor Duncan Sparrow, profesor i asociuar në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ta dimë se anemia në fillim të shtatzënisë është kaq e dëmshme mund të ndryshojë rrënjësisht qasjen në mbarë botën,” shtoi ai.
Për këtë hulumtim, studiuesit krahasuan të dhënat mjekësore të gati 2,800 grave britanike që kishin lindur një fëmijë me defekt në zemër me ato të afro 14,000 grave që kishin lindur fëmijë të shëndetshëm.
Rreth 4.4% e nënave që kishin lindur fëmijë me defekt në zemër kishin pasur anemi gjatë shtatzënisë, krahasuar me 2.8% të nënave me fëmijë të shëndetshëm, tregojnë rezultatet.
Këto rezultate përputhen me tre studime të mëparshme në Izrael, Kanada dhe Tajvan, të cilat gjithashtu lidhin aneminë në shtatzëni me rrezikun e shtuar për defekte në zemër te të porsalindurit, thanë studiuesit.
Rreth dy të tretat e rasteve të anemisë gjatë shtatzënisë shkaktohen nga mungesa e hekurit, sipas tyre.
“Meqenëse mungesa e hekurit është shkaku kryesor i shumë rasteve të anemisë, përdorimi i suplementeve me hekur për gratë – si gjatë përpjekjes për të mbetur shtatzënë, ashtu edhe gjatë shtatzënisë – mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës kongjenitale te shumë të porsalindur, para se ato të zhvillohen,” tha Sparrow. /Gazeta Shneta/


