“Dhimbjet menstruale mund të jenë më të rënda se një infarkt në zemër, por shpesh nuk merren seriozisht.” Kështu është shprehur profesori John Guillebaud nga University College i Londrës.
Ai shton se: “Burrat nuk mund ta kuptojnë, por është një dhimbje që kërkon kujdes dhe që nuk duhet nënvlerësuar.”
Megjithatë, dhimbja që përjetojnë gratë çdo muaj vazhdon të banalizohet, të injorohet dhe të shihet si “ekzagjerim”. Prej dekadash, menstruacionet kanë qenë tabu – në mjekësi, në kulturë dhe në rrjetet sociale.
Shkenca është fokusuar kryesisht te ilaçet apo produktet për t’u përdorur “ato ditë”, duke lënë në hije vetë përmasën reale të dhimbjes që gratë përballojnë çdo muaj.
Një fakt që flet vetë: burrat, në rast dhimbjeje barku, kërkojnë ndihmë pas rreth 49 minutash. Gratë presin mesatarisht 65 minuta. E megjithatë, shpesh janë gratë që etiketohen si “histerike” – një fjalë që rrjedh nga greqishtja hysterikos, që do të thotë “uterine” – si për të nënkuptuar se dhimbja e tyre është më pak e besueshme.
Me paragjykime të thella që vijnë nga filozofia, feja dhe vetë mjekësia, nuk është çudi që dhimbja menstruale ka mbetur kaq gjatë e padukshme.
Por e padukshme nuk do të thotë e paqenë. Është koha të ndryshojmë mënyrën si flasim për të. Kjo dhimbje ekziston dhe meriton të dëgjohet, të respektohet dhe të trajtohet me kujdes.


