Shumica e trajtimeve shtesë që u ofrohen çifteve gjatë fertilizimit in vitro (IVF) nuk mbështeten nga prova të besueshme shkencore dhe nuk rrisin shanset për të pasur një fëmijë, sipas studimit më të madh të realizuar deri më sot në këtë fushë.
Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i procedurave, ilaçeve dhe teknikave që ofrohen krahas IVF-it standard, me pretendimin se mund të përmirësojnë suksesin e trajtimit. Më shumë se 70 për qind e pacientëve që ndjekin IVF në Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Zelandën e Re paguajnë për të paktën një trajtim shtesë, shkruan The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, një analizë e gjerë e publikuar në revistën shkencore “The Lancet Obstetrics, Gynaecology & Women’s Health”, ka treguar se shumica e këtyre metodave ose nuk kanë asnjë efekt në fertilitet, ose nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar përfitimin e tyre.
Studiuesit analizuan 157 studime të mundshme, por përjashtuan 72 prej tyre për shkak të dyshimeve mbi besueshmërinë. Në fund, vlerësuan të dhënat nga 85 studime me cilësi më të lartë.
Rezultatet treguan se shtatë trajtime të zakonshme shtesë nuk kanë dëshmuar përfitime të qarta. Këto përfshijnë akupunkturën, kortikosteroidet, testimin e receptivitetit të endometrit, infuzionin me intralipid, injektimin e plazmës së pasur me trombocite në vezore ose në mitër, si dhe testimin gjenetik të embrioneve për anomalitë kromozomale.
Nga ana tjetër, vetëm tre metoda treguan prova të dobëta për një përfitim të mundshëm. Njëra prej tyre është ‘EmbryoGlue’, një medium i veçantë që përdoret gjatë transferimit të embrionit. Dy të tjerat janë “gërvishtja” e endometrit, e cila mund të rrisë gjasat për shtatzëni dhe lindje të suksesshme, si dhe teknika PICSI, e cila mund të ulë rrezikun e abortit spontan.
Ekspertët paralajmërojnë se promovimi i trajtimeve të paprovuara mund t’u krijojë pacientëve shpresa të rreme, t’i ekspozojë ndaj procedurave të panevojshme dhe t’u shtojë barrën financiare në një periudhë tashmë të vështirë emocionalisht.
Sipas autorëve të studimit, klinikat duhet të tregojnë kujdes të madh në ofrimin e këtyre shërbimeve, pasi vetë disponueshmëria e tyre shpesh perceptohet nga pacientët si dëshmi se ato funksionojnë, edhe kur provat shkencore nuk e mbështesin një gjë të tillë. /Gazeta Shneta/


