Rreth 40 milionë njerëz në botë jetojnë me HIV, dhe dy të tretat e tyre ndodhen në kontinentin afrikan. Në vitin 2023, mbi 600 mijë persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me HIV-in dhe 1.32 milionë u infektuan.
Edhe pse ende nuk ka një vaksinë kundër HIV-it – infeksioni i dytë më vdekjeprurës në botë pas tuberkulozit – studiuesit nga Amsterdam UMC, së bashku me partnerë nga SHBA, kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt krijimit të saj.
Në një provë klinike të fazës së parë, 47 pjesëmarrës morën një vaksinë eksperimentale e cila përmbante një imunogjen të quajtur Env trimer GT1.1, i dizajnuar për të nxitur prodhimin e antitrupave neutralizues të gjerë që janë thelbësorë për mbrojtjen kundër shumë varianteve të HIV-it, shkruan MedicalXpress përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit panë se vaksina shkaktoi reagimin e dëshiruar imunitar me saktësi të lartë, duke shënuar një hap pozitiv drejt qëllimit përfundimtar.
Studiuesit tani synojnë që në fazat e ardhshme të nxisin më tej qelizat për të prodhuar antitrupat mbrojtës. Ata theksojnë se ky rezultat është fryt i përpjekjeve shumëvjeçare të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kërkojnë që studimet pasuese të mbështeten për shkak të rëndësisë së mundshme globale të kësaj vaksine./Gazeta Shneta/


