Njerëzit që vuajnë nga migrena kanë një rrezik të shtuar për zhvillimin e sëmundjes inflamatore të zorrëve (IBD), përfshirë kolitin ulceroz dhe sëmundjen e Crohn.
Migrena është një nga shkaktarët kryesorë të paaftësisë në botë, veçanërisht tek personat nën 50 vjeç. Në SHBA, rreth 47 milionë persona preken nga kjo gjendje, ku 75% janë gra, shkruan burimi Health News transmeton Gazeta Shneta.
Përveç dhimbjes së fortë të kokës, migrena lidhet edhe me disa sëmundje të tjera si goditja në tru, hipertensioni, depresioni dhe ankthi.
Një studim i botuar në revistën “Scientific Reports” shqyrtoi lidhjen midis migrenës dhe IBD-së, që është një gjendje autoimune me inflamacion kronik të traktit tretës. Simptomat përfshijnë diarre të vazhdueshme, dhimbje barku dhe humbje peshe.
Studimi përfshiu mbi 10 milionë persona mbi 20 vjeç, ku rreth 2.8% kishin migrenë. Ata me migrenë rezultuan me 1.3 herë rrezik më të madh për të zhvilluar IBD. Në veçanti, burrat me migrenë kishin 43% më shumë rrezik për kolit ulceroz, ndërsa gratë 12% më shumë.
Lidhja midis këtyre dy sëmundjeve mund të shpjegohet përmes boshtit zorrë-tru. Faktorë të tillë si citokinat proinflamatore, disbioza bakteriale në zorrë, stresi dhe dieta e pasur me produkte të përpunuara, çokollatë dhe alkool mund të ndikojnë në shfaqjen dhe përkeqësimin e tyre. /Gazeta Shneta/


