Diabeti i tipit 2 rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës. Të dyja këto gjendje ndikohen nga dieta dhe stili i jetesës, ndërsa dihet se një dietë e shëndetshme, e pasur me ushqime me bazë bimore, ndihmon në parandalimin ose shtyrjen e tyre.
Tani, një studim i madh ka zbuluar se këto efekte të dobishme mund të lidhen me praninë e fitoroleve — përbërës bimorë që ndihmojnë në pengimin e përthithjes së kolesterolit nga ushqimi, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Njerëzit që konsumonin një dietë të pasur me fitorole kishin 9% më pak gjasa për të zhvilluar sëmundje të zemrës dhe 8% më pak gjasa për të zhvilluar diabet të tipit 2, krahasuar me ata që nuk i konsumonin.
Numri i njerëzve me diabet të tipit 2 është në rritje në mbarë botën. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, 1 në 9 të rritur aktualisht jeton me këtë gjendje, dhe deri në vitin 2050, pritet që kjo shifër të rritet në 1 në 8.
Në Shtetet e Bashkuara, përqindja është edhe më e lartë, ku më shumë se 1 në çdo 7 të rritur është i prekur nga diabeti i tipit 2, ndërsa mbi një e katërta e atyre mbi 65 vjeç jetojnë me këtë sëmundje.
Diabeti i tipit 2 është një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës, të cilat, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), janë shkaku kryesor i vdekshmërisë në SHBA për burrat, gratë dhe shumicën e grupeve etnike.
Një studim i rëndësishëm ka shtuar prova të reja se një dietë e shëndetshme dhe e pasur me produkte bimore mund të zvogëlojë rrezikun për zhvillimin e diabetit dhe sëmundjeve të zemrës
Gjetjet e këtij studimi, të prezantuara në konferencën vjetore NUTRITION 2025 të Shoqatës Amerikane për Ushqyerjen, sugjerojnë se një dietë e pasur me fitorole mund të ulë rrezikun për sëmundjet e zemrës me 9% dhe për diabetin e tipit 2 me 8%.
“Këto janë të dhëna shumë domethënëse — nëse vërtetohen, mund të shërbejnë si një mënyrë efektive për të reduktuar ndjeshëm rrezikun nga këto sëmundje, si dhe për të ulur kostot shëndetësore dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve përmes një metode të thjeshtë jo-mjekësore, pra përmes dietës ushqyese”, u shpreh Dr. Eamon Laird, lektor i shkencave ushqimore në Universitetin Teknologjik Atlantik në Sligo.
Gjetjet e studimit nuk janë ende të publikuara në një revistë shkencore me rishikim nga kolegët. /Gazeta Shneta/


