E keni vënë re ndonjëherë se, edhe kur ndodhin gjëra të mira gjatë ditës, mendja mbetet e fiksuar te një koment negativ apo kritikë që keni marrë? Një koleg ju solli një biskotë me çokollatë, por një tjetër ju kritikoi raportin. Me kalimin e ditës, ka më shumë gjasa që të mendoni për kritikën sesa për gjestin e këndshëm.
Kjo ndodh për shkak të një prirjeje mendore që quhet “biasi i negativitetit”. Edhe kur dy ngjarje janë të barasvlershme, ajo negative ndjehet më e fortë psikologjikisht. Në fakt, kjo prirje ka evoluar për të na mbrojtur nga rreziqet. Është një mekanizëm i mbijetesës. Por, kur është e tepruar, mund të lidhet me stresin, ankthin dhe depresionin.
Truri ynë reagon më fort ndaj negativitetit
Sipas Catherine Norris, pedagoge e psikologjisë dhe neuroshkencës, njerëzit e humbasin ndjeshmërinë ndaj imazheve që i shohin shpesh. Por, kur bëhet fjalë për imazhe negative, truri jonë “ngrihet në këmbë”, i kushton më shumë vëmendje dhe reagon më fuqishëm, veçanërisht kur këto imazhe përsëriten me kalimin e kohës.
Si ta menaxhoni prirjen ndaj negativitetit?
- Bëjeni mirënjohjen një zakon
Çdo ditë, gjeni pak minuta për të shkruar disa gjëra për të cilat jeni mirënjohës. Të identifikoni atë që vlerësoni, ndihmon në trajnimin e trurit për të krijuar një zakon të ri më pozitiv.
- Lidhuni me të tjerët në mënyrë konstruktive
Kur e përsërisni negativitetin në mendje, shpesh përfundoni duke u fokusuar vetëm te vetja. Ndihma ndaj të tjerëve ju ndihmon të dilni nga ky rrethvicioz dhe të ndiheni më mirë.
- Përdorni negativitetin për të ndryshuar zakone të këqija
Kur doni të hiqni dorë nga një zakon i keq, përqendrohuni në anët e tij negative. Për shembull, mendoni se sa të dëmshme janë cigaret: varësia, kanë erë të keqe, mun të shkaktojnë kancer. Kjo mënyrë mund t’ju ndihmojë të ulni konsumimin dhe të arrini deri te lënia përfundimtare e tyre, thotë Norris. /TiranaPost


